Laç, sekuestrohen 5 mina me telekomandë
OPERACIONI/ Policia ka prangosur dy vëllezërit Monel dhe Leandro Malaj, si dhe shtetasin Sokol Buseta
Tre të arrestuarit dyshohet se kryenin vjedhje të ndryshme, si dhe trafikonin lëndë plasëse, si dhe armë
KURBIN - Përfundojnë në pranga tre shtetas gjatë një operacioni të realizuar nga policia, ndërsa akuzat e ngritura ndaj tyre janë: "trafikim i lëndëve plasëse, armëve dhe municioneve luftarake", "vjedhje" dhe "armëmbajtje pa leje".
4 mina me telekomandë përveç armëve, si dhe parave e automjeteve u janë sekuestruar shtetasve Monel e Leandro Lamaj, vëllezër, si dhe Sokol Busetës.
Arrestimi është kryer nga policia e Lezhës në orën 01:00 të mëngjesit të së martës, ndërsa po hetohen edhe bashkëpunëtorë të tjerë të të arrestuarve, dy nga Laçi dhe një nga Shkodra.
Arrestimi
Ka qenë ora 01:00 pas mesnate kur Monel Lamaj dhe Sokol Buseta kanë qenë duke udhëtuar me një fuoristradë me targa të Laçit në superstradën Laç-Mamurras. Në këtë kohë ata janë ndjekur nga blutë të cilët prej kohësh i mbanin nën vëzhgim pasi kishin marrë informacion lidhur me veprimtarinë e tyre.
Si rrjedhojë, ata janë ndaluar ndërsa në makinën me të cilën udhëtonin dy personat janë gjetur 4 mina me telekomandë (tritol C4), si dhe 15 detonatorë elektrikë me përcjellës. Menjëherë më pas policia e Kurbinit ka ushtruar kontroll në banesën e vëllezërve Monel dhe Leandro Lamaj, përkatësisht 35 dhe 20 vjeç.
Në banesën e tyre në lagjen nr.4 të qytetit të Laçit u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale një arsenal municionesh, si: armë zjarri automatik me karikator me 30 fishekë, 1 armë gjahu me 15 fishekë, 1 minë me telekomandë, 1 detonator elektrike me përcjellës, 450 fishekë luftarake model 56, 150 fishekë të kalibrit 9 milimetër, sende me vlerë, bizhuteri, 71 unaza dore, 29 byzylykë, 24 varëse medalione, 96 vathë, 54 ora të markave të ndryshme, 11 telefona celularë të markave të ndryshme, 3800 euro, 6 milionë lekë shqiptare.
Gjithashtu u sekuestruan 4 automjete në pronësi të autorëve nga të cilat 2 automjete ishin të markës "Mercedes Benz", një fuoristradë dhe një makinë e markës Honda me targa greke. Nga ana tjetër, kontroll u krye nga policia e Shkodrës edhe në banesën e 40-vjeçarit Buseta, por në të nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Hetimi
Mësohet se fillimisht tre të arrestuarit janë zbuluar nga informacionet e mbërritura në policinë e Shkodrës. Kjo e fundit ka filluar ndjekjen dhe mbajtjen nën vëzhgim të tyre, por pasi është mësuar se dy vëllezërit Lamaj ishin nga qyteti i Laçit, Lezhës për çështje kompetencash.
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës pohoi se nga ana e saj janë kryer të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe po punohet për të sqaruar rrethanat e importimit, eksportimit, tregtimit të lëndëve plasëse dhe qëllimin e përdorimit të tyre, si dhe verifikimin dhe identifikimin e sendeve me vlerë, të cilat mendohet të jenë të vjedhura.
Të gjitha materialet proceduriale do t'i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kurbin për procedim të mëtejshëm. Mësohet se nga të arrestuarit, 20-vjeçari Leandro Lamaj ka qenë i dënuar më parë dhe për "armëmbajtje pa leje".
Dyshohet se bizhuteritë e gjetura ata i vidhnin dhe më pas i shisnin në një biznes të tyrin në qytetin e Laçit. Gjithsesi vijojnë hetimet për të zbuluar se në cilin rrjet dhe cilat vepra janë të përfshirë dy vëllezërit Lamaj dhe shkrodrani Buseta.
Materialet e sekuestruara
5 mina me telekomandë (tritol C4)
16 detonatorë elektrikë me përcjellës
armë zjarri automatik me karikator me 30 fishekë
1 armë gjahu me 15 fishekë
450 fishekë luftarake model 56
150 fishekë të kalibrit 9 milimetër
Bizhuteri: 71 unaza dore, 29 byzylykë
24 varëse medalione, 96 vathë
54 ora të markave të ndryshme
11 telefona celularë të markave të ndryshme
3800 euro, 6 milionë lekë shqiptare
2 automjete "Mercedes Benz"
një fuoristradë dhe një makinë "Honda"