E Diel, 1 Nëntor 2026

Grinden për një vajzë, dy plagosen me thikë

 

KORÇE - Sherri mes të rinjve në qytetin e Korçës përfundon me dy të plagosur. Ngjarja ndodhi para Muzeut të Arsimit Kombëtar dje në mesditë. Burimet e policisë bënë të ditur se të rinjtë kanë pasur konflikt të përsëritur mes tyre. Zanafillën e ka pasur nga ngacmimi i një vajze. Përplasja e djeshme ndodhi në orën 11:30, kur dy të rinjtë, Aldo Sadiku, 20 vjeç dhe Hilmo Kamenica 18 vjeç, të dy banorë të Korçës, janë grindur me 17-vjeçarin M.Ll. Ky i fundit në një moment ka nxjerrë thikën nga xhepi dhe me të i ka qëlluar disa herë në trup dy të rinjtë. Më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Kamenica aktualisht ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit të spitalit të Korçës, në gjendje më të mirë pas ndërhyrjes kirurgjikale së cilës iu nënshtrua për tre orë rresht. Ndërsa Sadiku ka pasur plagë të rënda në gjoks, çka i ka krijuar edhe komplikacione të tjera. Për ta shpëtuar nga rreziku i humbjes së jetës pas mjekimit që iu bë në urgjencën e Spitalit të Korçës e nisën urgjent me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore. Për 17-vjeçarin ka filluar ndjekja penale nën akuzën "vrasje me dashje e mbetur në tentativë". Mësohet se autori i këtij krimi është larguar në drejtim të paditur dhe policia po punon për kapjen e tij dhe vënien para akuzës. Ndërkohë po punohet për të zbardhur plotësisht rrethanat e plagosjes.                    j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›