E Diel, 1 Nëntor 2026

"Në Hipotekë më kërkuan 10 mijë euro"

 

Fatos Mahmutaj

Antonela Hoxhallari pohon se në Hi-potekën e kryeqytetit i kanë kërkuar një shumë prej rreth 10 mijë eurosh për të regjistruar pronën e saj të ligjshme. Sipas saj, bëhet fjalë për ish-kompleksin blegtoral të ish-NB-së Vorë, që ndodhet pranë Urës së Limuthit. Hoxhallari pretendon se në vitin 1993 e ka privatizuar këtë ambient, në fazën e tretë të tenderimit. Sipas ligjeve të atëhershme Hoxhallari pohon se i ka marrë me qira 99-vjeçare, derisa në vitin 1999 ka blerë godinat dhe sipërfaqen. "Pas blerjes së sipërfaqes dhe godinave në vitin 1999 e regjistrova pasurinë në Hipotekë, ku dhe merrja sa herë që më duheshin dokumente mbi këtë pronë. Kjo gjendje vazhdoi deri pak kohë më parë kur, më duhej një vërtetim për të tërhequr një kredi bankare", -pohoi dje Hoxhallari. Sipas saj, në Hipotekë, në muajin shkurt, kur ishte paraqitur për të marrë një vërtetim të pronës së vet, i kishin thënë se duhet të aplikonte për një regjistrim të ri, pasi kishte nisur të funksiononte sistemi i dixhitalizimit të pronave. "Kështu bëra. Nisa aplikimin, ndërsa punonjësja e Hipotekës që merrej me dokumentacionin tim, Enkeleda Nazifi, më kërkoi një plan rilevimi. Brenda pak ditësh ia dorëzova dokumentin e kërkuar, ku ajo reagoi: "Ua gjithë kjo pronë!" U çudita nga reagimi i saj, duke i thënë se e kisha blerë, ndërsa ajo më kërkoi t'i dorëzoja të gjitha dokumentet që kisha për pronën", thotë Hoxhallari duke akuzuar kryeregjistruesen Dorina Stringa. Ajo tregon se i është dashur të shkojë nëpër të gjithë noterët për të mbledhur dokumentet e kërkuara. Po kështu ndërsa kishin kaluar shumë kohë më tepër afatit ligjor të atij vërtetimi, Hoxhallari ende nuk e kishte marrë vërtetimin e kërkuar sipas ligjit. Në sportelin e Hipotekës ku kishte marrë më parë dokumente, Hoxhallari është takuar me regjistruesen Enkeleda Nazifi, e cila pasi e ka sorollatur i ka lënë takim për ta takuar jashtë. "Sapo janë takuar, ajo i ka kërkuar 10 mijë euro", thotë Hoxhallari e cila pohon se nuk kishte arsye pse t'i paguante dhe për më tepër kaq shumë, por kishte marrë si përgjigje nga regjistruesja se pas saj qëndronte edhe shefja e zyrës, e cila donte pjesën e vet. Në këtë moment nga ZVRPP, Tiranë ka nisur një verifikim total i pronës së Hoxhallarit, duke iu kërkuar informacione mjaft institucioneve shtetërore, përfshi edhe bashkinë e Vorës. Pas verifikimit gjithçka ka dalë e rregullt. Më pas Hoxhallari kishte marrë njoftimin se dosja e saj e dokumenteve kishte humbur në Hipotekë, por pas insistimit, punonjës të tjerë të kësaj zyre e kishin gjetur atë dhe i kishin komunikuar se dokumentet e tyre ndodheshin të plota në këtë institucion. E ndodhur në këtë situatë Hoxhallari i ka paraqitur ankesë kryeregjistruesit të Republikës, ankesë të cilën ia ka dërguar për dijeni Kryeministrit Sali Berisha.

Letra për ministrin dhe Berishën
Antonela Hoxhallari është një nga personat që pretendon se në Hipotekë i kanë kërkuar ryshfet për të regjistruar pronën e saj të ligjshme. Madje, këto probleme ajo pohon se i ka shkruar në një letër që u ka dërguar krerëve të këtij institucioni dhe disa institucioneve të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›