Grinden për pronën, i djeg vëllait shtëpinë
KRUJE – Vëllai i djeg shtëpinë të vëllait pas sherrit për pronën. Dy vëllezërit Menga në fshatin Dilbnisht të Krujës janë konfliktuar prej kohësh, duke përfunduar në veprime ekstreme. Njëri prej tyre, Mirash Menga, 36 vjeç, sipas policisë së Krujës ka spërkatur shtëpinë e vëllait 46-vjeçar, Hill Menga, me benzinë, duke i vënë më pas flakën. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të paradites. Policia e Krujës ka mbërritur menjëherë në vend, së bashku me repartin e zjarrfikësve duke bërë të mundur edhe shuarjen e zjarrit. Mësohet se flakët kanë dëmtuar një pjesë të banesës 1-katëshe, pasi ndërhyrja e zjarrfikësve ka shmangur përhapjen e tyre dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Pas marrjes në pyetje është identifikuar si autor vëllai i të zotit të shtëpisë ku ra zjarri. Për Mirash Mengën është shpallur kërkimi, nën akuzën e shkatërrimit të pronës së tjetrit me zjarr. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht konfliktin e nisur mes dy vëllezërve. Njëri prej tyre është në kërkim, duke mos u arritur të kapej gjatë ditës së djeshme, pavarësisht kontrollit të shtrirë përreth zonës ku ndodhi dhe ngjarja. r.n