Babai: Të zbardhet vdekja e vajzës
BURREL/ HASAN PASHA
Zef Leshaj, rreth të 70-ve nuk i ndal lotët. Sërish dy ditë më parë ka trokitur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat dhe ka kërkuar zbardhjen e të vërtetës për humbjen e vajzës së tij në moshën 26-vjeçare. Megjithëse organi i akuzës ka vendosur gjashtë vjet më parë pushimin e hetimeve për vdekjen e shtetases Lindita Haxhija (Leshaj) ai sërish këmbëngul se hetimet nuk kanë kryer si duhet dhe se vajza nuk është vetëvaruar, por atë e kanë mbytur më mjete të forta bashkëshorti, vjehrra dhe kunata. Leshaj ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të mundësojë rihetimin e çështjes, duke dhënë edhe provat që ai disponon në lidhje me këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në 23 nëntor 2003. “Prej gjashtë vitesh kërkoj zbardhjen e të vërtetës së vdekjes së vajzës time. Ajo ishte martuar me Skënder Haxhinë, ndërkohë lindën dhe dy fëmijë. Emigruan jashtë vendit dhe në tetor të vitit 2003 u kthyen në vendlindje, pasi kishim disa dasma”, nis rrëfimin e tij Zef Leshaj, ndërkohë nga faqet nuk i ndalen lotët. “Vajza më ishte ankuar se marrëdhëniet me njerëzit e burrit nuk i kishte të mira, por nuk ma kishte bërë gjendjen shumë alarmante. Martova djalin në nëntor të vitit 2003 dhe për çudi dhëndëri nuk erdhi. Nuk u lodha për të kërkuar shkaqet e mungesës së tij, por pak ditë pas dasmës më vjen lajmi i vdekjes së vajzës”. Sapo ka mësuar lajmin e kobshëm Leshaj ka mbërritur në shtëpinë e vajzës së martuar dhe ka kërkuar “llogari” për ngjarjen, madje ka guxuar të shohë të bijën. “Nuk ka mundësi që vajza ime të ketë varur veten, u thashë njerëzve të burrit të Linditës. E pashë pas koke dhe konstatova se ishte goditur me një mjet të fortë, ndërkohë në gjoks ishte nxirë. Pranë krevatit ku flinte kam parë njolla gjaku. Më kërkuan leje ta varrosnin vajzën, por unë ngula këmbë që pa u kryer autopsia vajza nuk varroset. Kur erdhën hetuesit mua nuk më lejuan të jem i pranishëm, ndërkaq vjehrri i vajzës Bardhok Haxhija ka mashtruar hetuesit se viktima është vajza e tij dhe se është gjetur e vdekur në krevat, pasi i kishte rënë të fikët”, sqaron rrethanat e ngjarjes 70-vjeçari i vënë në kërkim të zbardhjes së ngjarjes së rëndë. “Ata na kanë gënjyer ne dhe policinë për vajzën time, sepse fillimisht kanë deklaruar se Linditës i kishte rënë të fikët në gjumë, më vonë u shprehën se është gjetur e pajetë në dhomën e gjumit, ndërsa si variant të tretë kanë dhënë varjen e vajzës në degën e një kumbulle në oborrin e shtëpisë. Nuk ka mundësi që vajza ime të jetë varur në degën e një peme 70 cm mbi tokë dhe të ketë gjetur vdekjen. Ajo është mbytur me mjete të forta. Është goditur pas koke dhe në trup, pastaj e kanë dërguar tek dega e kumbullës dhe kanë nxjerrë lajmin se është vetëvarur. Vajza nuk ka pasur shenja të litarit në qafë”, deklaroi dje për “Panorama” Zef Leshaj, i cili deklaroi se nuk heq dorë deri në vdekje nga zbardhja e të vërtetës së vajzës.