E Diel, 1 Nëntor 2026

Grinden për tapinë e tokës, plagoset 31-vjeçari me pistoletë

17/06/2005  Shpallen në kërkim Sajmir Alia dhe Ermal Thana për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje

SHKODER – Motivi i pronësisë ka qenë sërish shkak që të “kërcasin” armët në fshatin Shtoj të Ri, të Shkodrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se pasditen e dy ditëve më parë është plagosur me armë zjarri shtetasi 31-vjeçar Almir Haxhia, lindur në fshatin Shtoj i Vjetër dhe banues në lagjen Dobraç të komunës së Rrethinave, Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Shkodër–Koplik, pranë ish-SMT-së jo shumë larg kompleksit të “Zmijanëve”.

I plagosuri është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që dy autorët e ngjarjes, tashmë të identifikuar nga policia, janë shpallur në kërkim, por deri në orët e vona të ditës së djeshme, megjithë kërkimet e kryera nuk është bërë e mundur që të viheshin në pranga.

Ngjarja

Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë i plagosuri për grupin e hetimit, ai ka qenë jo shumë larg shtëpisë së tij në shoqërinë e dy bashkëfshatarëve, Sajmir Alija dhe Ermal Thana, si dhe të shtetasit tjetër, Ismet Balaj me banim në lagjen “Tom Kola“ të qytetit të Shkodrës.

Motivi i takimit mes burrave ka qenë një diskutim i hapur prej disa kohësh për tapinë e një toke, që e pretendonin të dyja palët.

Nga hetimet paraprake rezultoi se në debat e sipër shtetasit kishin filluar të grindeshin me njëri- tjetrin, derisa grindja ka precipituar aq keq, sa shtetasi 19- vjeçar Saimir Alija, nga Dobraçi, ka qëlluar në këmbë me pistoletë të tipit “Zastava” shtetasin Almir Haxhia, duke e plagosur atë.

Më pas, shtetasi Alija dhe dy shtetasit e tjerë që ishin me të, 22-vjeçarin Ermal Thana, nga fshati Dobraç, si dhe shtetasin Balaj, nga qyteti i Shkodrës, janë larguar për t’i shpëtuar kapjes nga policia dhe duke e lënë shtetasin e plagosur të shtrirë përtokë.

Hetimi

Menjëherë pas ngjarjes, informacioni ka mbërritur deri në “veshët” e policisë dhe uniformat blu nuk kanë vonuar që të shkojnë në vendin e ngjarjes dhe të fillojnë hetimin për plagosjen më të fundit të ndodhur për motive pronësie.

Pas veprimeve të policisë është vërtetuar se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta si dhe është bërë e mundur gjetja në vendngjarje dhe fiksimi në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit tip pistoletë “Zastava”, e cila ishte përdorur për plagosjen e shtetasit Haxhia, si dhe prova të tjera, të cilat do të përdoren për fajësimin e autorëve të ngjarjes.

Tashmë të tre shtetasit që janë larguar nga vendngjarja janë shpallur persona në kërkim dhe nga policia po punohet për të realizuar kapjen e tyre, ndërkohë që materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Shkodër, për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë e kryer kjo në bashkëpunim si dhe të armëmbajtjes pa leje, vepra këto që janë të parashikuara nga nenet 76-22-25 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›