Gjirokastriti 60-vjeçar, në Spitalin e Burgut për ekspertizë psikike
17/06/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar dje pranë Spitalit të Burgut, 60-vjeçarin Kujtim Duro nga Gjirokastra, për kryerjen e ekspertizës psikike. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime pranë Prokurorisë, të cilat sqaruan se ky veprim hetimor është konsideruar si i rëndësishëm, me qëllim evidentimin e ndonjë devijacioni të sjelljeve të 60-vjeçarit Duro. Ky i fundit akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me një djalë të mitur 16-vjeçar, mbajtjen peng të tij, vrasje për shkak të cilësive të veçanta të mbetur në tentativë dhe mbajtje të armëve e municioneve luftarake pa leje. Sipas burimeve të Prokurorisë, nga deklarimet që ka dhënë i pandehuri dhe sjellja e tij, dyshohet që të ketë probleme mendore. Për këtë arsye, ai do t’i nënshtrohet një ekspertize psikike nga mjeko-ligjorët, shtuan burimet. Sipas Prokurorisë, natën e 30 majit, Duro i ka bërë rezistencë me armë policisë. Për Duron ishte bërë një kallëzim penal nga babai i një djali 16 vjeç nga Përmeti. Babai i djalit pretendonte se Duro i kishte rrëmbyer djalin dhe e mbante të mbyllur në shtëpi. Policia pas këtij kallëzimi ka shkuar të ekzekutojë urdhrin e Prokurorisë, për lirimin e 16-vjeçarit dhe arrestimin e Duros. Por, Policia e Gjirokastrës është gjendur përballë plumbave, kur i ka kërkuar Duros të dorëzohet. Në këto kushte është dashur ndërhyrja e Policisë së Tiranës, e cila pas negocimit ka shtënë në dorë Duron. Ky i fundit pas dorëzimit nuk ka pranuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me 16-vjeçarin, duke pretenduar se i mituri i kishte kërkuar shtëpi me qira. Por vetë i mituri mësohet të ketë pohuar se kishte kryer me dëshirën e tij marrëdhënie seksuale, përfundojnë burimet. E.H.