E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dëshmitares, dha dëshmi të rreme

17/06/2005  TIRANË- Dje në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë është prangosur një vajzë, e cila ka ndryshuar dëshminë e saj në lidhje me një ngjarje ku ajo ka qenë dëshmitare okulare. Sipas burimeve nga gjykata, vajza ka ndryshuar dëshminë e saj. Ndryshe e ka përshkruar ngjarjen në prokurori dhe ndryshe ka dëshmuar në gjykatë, përpara gjyqtarit Altin Abdiu. Por një veprim i tillë i bërë nga dëshmitarja okulare e ngjarjes, nuk është pritur mirë nga përfaqësuesi i Prokurorisë, Arben Sharra. Ky i fundit i ka kërkuar kryetarit të seancën që të arrestojë dëshmitaren, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, nën akuzën e dëshmisë së rreme. Gjyqtari Abdiu e ka marrë parasysh një kërkesë të tillë dhe ka vendosur që ta shpallë të ndaluar vajzën që ndryshoi dëshminë e saj. Bëhet fjalë për një ngjarje të disa muajve më parë, kur shoferi i një figure politike qëlloi me tytën e pistoletës një të moshuar, teksa ky i fundit ishte duke ndihmuar një gazetare që po kërkonte ndihmë për shkak se po ngacmohej nga shoferi. Gjithçka ka ndodhur te bar "Kalaja", në qendër të Tiranës. Ngjarja ishte e rëndë dhe nga policia u tha se i moshuari u plagos rëndë, ndërsa identiteti i gazetares dhe shoqes së saj, edhe në kohën kur ndodhi plagosja, nuk u bënë të ditur për arsye etike. Në sallë mësohet të ketë pasur jo pak reagim nga ana e saj si dhe e avokatit mbrojtës, ndërsa dëshmitarja është dërguar menjëherë në ambientet e Komisariatit numër 2.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›