E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden, qëllon me thikë dy studentë

VLORË/ Një 22-vjeçar është shpallur në kërkim nga uniformat blu, pasi goditi me thikë dy të rinj nga Fieri


Muho dhe Banushi, nga Fieri, ndodhen ende në gjendje të rëndë, pas plagëve të marra pranë zemrës

VLORË - Dy studentë kanë mbetur të plagosur rëndë pasi janë qëlluar me thikë nga një 22-vjeçar, pas një konflikti që kanë pasur mes tyre. Shkaqet banale të tipit "Pse më pe?" kanë arritur në sharje e fyerje të rënda që më pas kanë bërë që i riu vlonjat të qëllojë me armën e ftohtë që kishte dy të rinjtë nga Fieri.


Autori është larguar nga vendngjarja, ndërsa të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital ku i janë nënshtruar operacionit për shkak se plagët i kanë marrë afër zemrës, duke humbur shumë gjak.


Ngjarja


Gjithçka ka ndodhur pasditen e së dielës. Klodain Muho, 22 vjeç, dhe Albano Banushi, 25 vjeç, studentë, kishin hapur një aktivitet të tyrin (bar-kafe) në zonën pranë Skelës. Pranë tyre ndodhej edhe një qendër interneti, që ishte në pronësi të një 22-vjeçari. Lokalet afër njëri-tjetrit kanë bërë që të rinjtë të kishin konflikte të herëpashershme mes tyre.


Të dielën duket se grindja ka ndodhur për motive shumë banale. Fjalët "Pse më pe ashtu?", "Pse i vure këmbët aty?" janë vetëm disa nga sekuencat që janë dëgjuar nga të pranishëm në vendngjarje, të cilat kanë pasuar me nxjerrjen e një thike nga 22-vjeçari nga Vlora, i cili ka goditur dy studentët, që kanë marrë plagë shumë pranë zemrës.


Ata janë dërguar për në spital menjëherë nga persona që ishin aty pranë, ndërsa vetë autori është larguar nga vendngjarja.


Mjekët


Pas dërgimit në spital, dy të rinjtë nga qyteti i Fierit janë futur në sallën e operacionit për shkak të plagëve të rënda që kishin marrë. Pavarësisht mbikëqyrjes së mjekëve ata kanë vijuar të kenë probleme pasi nga goditja kanë humbur shumë gjak.


Në orët e vona të mbrëmjes bluzat e bardha bënë të ditur se ende njëri prej tyre ishte në rrezik për jetën, ndërsa nga policia u deklarua se ata nuk ishin në gjendje për të folur dhe për të dhënë sqarime për ngjarjen.


Hetimi


Të mbërritur në vendngjarje, grupi hetimor i ngritur për çështjen mori në pyetje persona të ndryshëm. Gjithçka rezulton të ketë ndodhur për shkaqe banale, ndërsa duket se inati mes të rinjve ka filluar kohë më parë dhe për faktin se lokalet e tyre, një bar-kafe dhe një qendër interneti, ishin pranë njëri-tjetrit.


Megjithatë, hetimet ende vijojnë ndërsa pritet arrestimi i autorit, i cili është identifikuar dhe deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ishte vënë ende në pranga, si dhe dëshmia e dy të plagosurve, të cilët për shkak të gjendjes së rëndë nuk mund të jepnin deklarata. Akuza e ngritur ndaj autorit është "vrasje e mbetur në tentativë e më shumë se dy personave" dhe "armëmbajtje pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›