Shkëmbimi i zjarrit, pas grindjes për një femër
Katër persona janë dërguar nga prokuroria në gjykatë si të pandehur me akuzën e vrasjes në muajin maj
TIRANË- Shkëmbimi i zjarrit me armë mes dy grupeve të rinjve në muajin maj të këtij viti në një bilardo në Tufinë të kryeqytetit, ka pasur si shkak grindjen për një femër. Një lajm i tillë është pohuar dje për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit që pohuan se një fakt i tillë ishte mësuar prej hetuesve të prokurorisë së cilës i qe referuar ngjarja nga zyra e hetimit të vrasjeve dhe komisariati i Policisë nr.4. Për këtë qëllim organit të akuzës së kryeqytetit, iu deshën pesë muaj kohë për të zbardhur dhe dërguar pranë togave të zeza, autorët e përplasjes me armë në rrugën "Myslim Keta". Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes palëve mbeti i plagosur një person dhe u shkaktuan dëme të ndryshme materiale.
Sipas dosjes me nr.1958, të pandehurit që janë dërguar në gjyq janë: Florind Gurzi, Indrit Deliu dhe Leonard Allushi, mbi të cilët është ngritur akuza e "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese"; "mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake" si dhe akuzën e "Kanosjes". "Zënka që më pas ka degjeneruar në grushte dhe shkëmbim zjarrit mes grupit të të pandehurve dhe personave të ndryshëm, që janë edhe dëshmitarët kryesorë të këtij procesi penal, ka ardhur për arsye banale, të një zënke mes tyre dy javë para ngjarjes. Që prej kësaj kohe, të rinjtë nuk ishin më shokë si më parë,"- thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë.
Në dosje pohohet se, konflikti mes tyre, kishte filluar në një bilardo të rrugës "Myslym Keta", pas debateve me fjalë mes njëri-tjetrit. Sipas akuzës, debati kishte filluar në një bilardo ku i pandehuri Leonard Allushi është grindur me shokun e tij J. Shima, për disa femra që më pas loja e bilardos i ka acaruar marrëdhëniet mes tyre, duke bërë që të ndahen në dy grupe. Pasditen e ngjarjes, rreth mesit të muajit maj, në lokalin e të pandehurit Leonard Allushit kishte hyrë J.Shima ku është kërcënuar me armë dhe është goditur më pas me një qytë pistolete "TT" të cilën e mbante pa leje. Pas këtij sherri mes tyre, J.Shima ka lajmëruar shokët e tij, Indrit Deliun dhe Florind Gurzin, të cilët të armatosur me pistoletë, kanë shkuar në lokalin e Allushit.
Sapo kanë hyrë në lokal, dy të pandehurit Deliu e Gursi kanë qëlluar në drejtim të Leonard Allushit dhe vëllait të tij me armë, por plumbat e shkrepur kanë qëlluar shokun e këtyre të fundit, shtetasin Astrit Lozi që ka mbetur i plagosur. Pas këtyre të shtënave, dy të rinjtë janë larguar me vrap duke lënë mbrapa katër gëzhoja të pistoletës "TT", të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga organet e policisë. Në vend ngjarje është arrestuar Leonard Allushi për akuzën e "kanosjes" dhe "armë mbajtjes pa leje", ndërsa kanë mundur t'i shpëtojnë policisë dy të pandehurit Indrit Deliu e Florind Gursi ndaj të cilëve është ngritur akuza e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" të mbetur në tentativë.