Prokurorët i përgjigjen raportit të "shkeljeve" të ministrisë
PROKURORIA/ Burime nga prokuroria e përgjithshme thonë se po vlerësohen rastet e paraqitura
TIRANË- Prokurorët e kryeqytetit i përgjigjen "akuzave" të Ministrisë së Drejtësisë për shkeljet që kjo e fundit i ka konstatuar në raport-kontrollin e dosjeve të shqyrtuara nga përfaqësuesit e akuzës.
Ky fakt bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët konfirmuan se të gjithë prokurorët e kryeqytetit që, sipas inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, kanë kryer shkelje në punën e tyre trevjeçare, kanë dhënë pretendimet e tyre për çdo dosje.
"Pas kësaj procedure, do të shikohet se cili nga prokurorët e kryeqytetit ka kryer shkelje dhe më pas dosja e tij do t'i kalojë anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë, për të vlerësuar masën disiplinore ndaj atyre shkeljeve.
Kjo gjithmonë nëse konstatohet se Ministria e Drejtësisë ka të drejtë në atë gjykim që ka bërë", thanë zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, këto burime e vlerësuan punën e prokurorëve të kryeqytetit. "Konstatimi i 300 dosjeve me shkelje nga 5700 të kontrolluara nuk është i lartë, gjë që tregon se institucioni i Prokurorisë së Tiranës ka qenë korrekt dhe i suksesshëm.
Ky numër do të pakësohet, sigurisht, pasi realisht inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë bërë edhe gabime në vlerësimin e punës, pasi në disa dosje konstatimi si shkelje ka edhe raste qesharake",- thanë burimet.
Duke përmendur faktin se ngarkesa e punës së çdo prokurori në çdo muaj arrin në shqyrtimin e 30 dosjeve penale, burimet thonë se kjo ngarkesë sjell edhe gabime në vlerësimin e dosjeve të ndryshme, si p.sh. në cilësimin e veprës penale, pushimin e çështjes, pezullimin apo afatet proceduriale.
Pak kohë më pare, ishin zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë që konfirmuan se raporti i kontrollit të Prokurorisë i ishte dorëzuar kryeprokurores Ina Rama bashkë me rekomandimet për masa disiplinore ndaj 34 prokurorëve.