E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemi me energjinë, "Elber" kërkon ndihmë për borxhin

ELBASAN/ Pak ditë më pare, OSSH i ndërpreu energjinë kompanisë që furnizon qytetin me ujë të pijshëm


ELBASAN - Pak ditë pas ndërprerjes së parë të energjisë nga OSSH-ja, drejtori i kompanisë "Elber", që furnizon me ujë të pijshëm Elbasanin, ka deklaruar se Ujësjellësi Elbasan ndodhet në vështirësi.


Atila Gjyladin shprehet se shlyerja e energjisë elektrike për ta është një barrë shumë e rëndë për shkak se numërohen me mijëra fatura të ujit të pijshëm të papaguara nga qytetarët ndër vite. Ai ka kërkuar ndihmën e pushtetit vendor, të prefekturës dhe të policisë për të sensibilizuar dhe për të arritur në një marrëveshje të përbashkët që situata të ndryshojë.


"Ne kemi shumë fatura të papaguara, por për këtë arsye nuk iu ndërpresim ujin e pijshëm qytetarëve, ashtu siç bëri OSSH-ja me ne. Sigurisht që ne i detyrohemi tashmë një borxh prej 240 milionë lekësh të vjetra, por kjo nuk mund të merret si arsye për të ndërprerë energjinë elektrike në stacionin e pompave.


Situata jonë është e vështirë, pasi nga njëra anë janë detyrimet dhe nga ana tjetër janë qytetarët, të cilët nuk duhet të mbeten për asnjë arsye pa ujë të pijshëm. Për herë të parë unë preka fondin e pagave për të zhbllokuar situatën. Tashmë iu kërkoj qytetarëve elbasanas që të kuptojnë se uji i pijshëm duhet paguar.


Është e rëndësishme që të gjithë të sensibilizohen, pasi vetëm kështu mund të dalim nga kjo situatë emergjente", u shpreh Gjyladin. Ai tha se kompania "Elber" është e vetmja që nuk përfiton subvencion nga shteti për energjinë elektrike dhe nuk trajtohet si të gjithë ujësjellësit e tjerë megjithëse has po të njëjtat probleme.


Aktualisht kjo kompani i detyrohet 24 milionë lekë OSSH-së dhe situata nuk është aspak e qetë përsa i përket arkëtimit të faturave nga qytetarët. Vetëm pak ditë më parë ndërprerja e energjisë elektrike la 24 pa ujë gjithë qytetin e Elbasanit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›