Grindet me të shoqen, e godet me levë në kokë
Qemal Limollari, baba i tre fëmijëve, është ndaluar nën akuzën e vrasjes me dashje mbetur në tentativë
KORÇË - Pakënaqësia e burrit për sjelljen e bashkëshortes me prindërit e tij ka rrezikuar të shkaktojë një viktimë gjatë ditës së djeshme në fshatin Goç të Maliqit. Burri 51-vjeçar ka qëlluar me levë në kokë gruan e tij, me të cilën kishte tre fëmijë, duke bërë që 45-vjeçarja të përfundojë në koma, ndërsa ai vetë të prangoset nën akuzën e "vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë". Konfliktet në familje janë duke tronditur familjet shqiptare, ndërsa përdorimi i armëve vrasëse është kthyer në një përditshmëri.
Qemal Limollari, babai i tre fëmijëve, ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij, për një arsye gati të pabesueshme.
Me pretendimin se ajo nuk i respektonte prindërit e vet mes çiftit Limollari, banorë të fshatit Goç në Maliq, ka lindur një konflikt i vazhdueshëm. 51-vjeçari i ka kërkuar gruas së tij të jetë më e dashur me prindërit e tij, si dhe t'i respektojë në të njëjtën mënyrë siç ai bënte me njerëzit e saj. Por kritika e bashkëshortit nuk është pranuar nga gruaja, e cila në moment ka radhitur rastet në të cilat prindërit e të shoqit i kishin krijuar pakënaqësi. Një gjë e tillë ka bërë që mes saj dhe 51-vjeçarit të fillojë një grindje edhe më e madhe. Gruaja mësohet të jetë shprehur se, nëse vazhdonte me këto debate, ajo nuk do t'i pranonte aspak në shtëpi prindërit e të shoqit.
Debati ka marrë përpjesëtime të mëdha, teksa bashkëshorti ka rrëmbyer një levë hekuri dhe e ka goditur gruan në kokë jashtë banesës së tyre, në oborrin e shtëpisë, kur 45-vjeçarja po merrej me disa punë. Ngjarja, sipas burimeve të policisë, është regjistruar rreth orës 10:00 të paradites së të enjtes, teksa policia e njoftuar në kohë nga disa fqinj të gruas ka arritur në kohë për të prangosur autorin e ngjarjes. Agresori akuzohet për "vrasje me dashje e mbetur në tentativë", kurse gruaja e tij është në gjendje mjaft kritike për jetën në spitalin e Korçës.