E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindjet, pesë të rinj kalojnë në tehun e thikës

PLAGOSJET/ Sherret banale kanë qenë në bazë të sherreve mes personave

Pesë të plagosur është bilanci i tre grindjeve mes të rinjve në të cilat u përdor thika. Të pestë protagonistët ndodhen në spital, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Ngjarjet kanë ndodhur në Korçë, Lushnjë e Fier.

Burimet zyrtare të policisë së Korçës bëjnë të ditur se një grindje mes tre të rinjve iu ka kushtuar shtrenjtë dy prej tyre, të cilët kanë përfunduar në gjendje mjaft kritike në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e enjte rreth orës 03:30, në një lokal në fshatin Zëmblak. Tre të rinjtë shokë me njëri-tjetrin kanë qenë së bashku në bilardon e kryeplakut të fshatit teksa kanë nisur një sherr për radhën që duhet të mbanin në lojën e tyre. E.Shaholli, 26 vjeç, dhe P.Çeliku, 22 vjeç, kanë mbetur viktima të thikës së shokut të tyre njëherësh autor i ngjarjes, shtetasit Aldi Taho 24-vjeçar. Taho ka dashur të drejtojë lojën, por kanë reaguar dy shokët e tjerë. Kaq është dashur që loja të prishet, madje të kthehet në një betejë të përgjakur. Taho ka përdorur një thikë që e mbante me vete dhe ka plagosur rëndë të dy shokët e tij. E.Shaholli dhe P.Çeliku janë shtruar në spital. Shaholli është në një situatë edhe më të vështirë, pasi thika gati i ka prekur mushkërinë. Autori i kësaj ngjarjeje ka mundur të largohet, ndërsa është shpallur në kërkim për "plagosje të rëndë me dashje".

Ndërsa dy të rinj të tjerë të plagosur po me thikë kanë mbërritur në spitalin e Lushnjës. Ata janë goditur në një lokal të komunës Fier-Shegan. Në momentin e ngjarjes, sipas policisë, në këtë lokal ka qenë edhe shtetasi Ledion Toska, 24 vjeç. Ky i fundit ka hedhur disa fjalë në drejtim të dy të rinjve deri në fyerje. Ata kanë reaguar duke i kërkuar shpjegime, por Toska i ka qëlluar me thikë. Të pranishmit kanë ndërhyrë, ndërsa dy të rinjtë janë dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës. Policia ka bërë edhe ndalimin e autorit Ledion Toska, i cili është gjetur në banesën e tij. Toskës i është gjetur edhe mjeti me të cilin kreu plagosjen.

Ndërkaq në Fier në lagjen "1 Maji" shtetasi me inicialet A.H., 17 vjeç, banues në Roskovec, është goditur me thikë dhe për pasojë është plagosur në dorë dhe në këmbë. Autori i këtij krimi është L.B. edhe ky 17 vjeç, banues në Patos. Ky shtetas është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se të dy adoleshentët janë grindur për motive të dobëta. Po punohet për kapjen e autorit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›