E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindja banale, gardisti plagos të riun me pistoletën e punës

TIRANE - Një 34-vjeçar ka përfunduar i plagosur në orët e vona të mbrëmjes në kryeqytet pas një grindjeje banale me një efektiv të Gardës. 

Burime të policisë së Tiranës pohuan mbrëmë se grindja ka ndodhur në një lokal, të fusha e aviacionit pranë godinave të studentëve te "21 Dhjetori". Sipas tyre, i plagosuri është 34-vjeçari Adnan Xhepa, ndërsa autor i kësaj ngjarjeje dyshohet 45-vjeçari Aziz Gashi, i cili është prangosur pak minuta më vonë. Sipas policisë bashkë me Gashin u kap edhe arma, me të cilën dyshohet se është kryer krimi, e cila është pistoleta e tij e punës. Nga provat dhe dëshmitë e marra në vendngjarje policia pohon se krimi ka ardhur pas një grindjeje banale midis viktimës dhe të arrestuarit. Pasi kanë shkëmbyer sharje midis tyre ata janë konfliktuar me goditje grushtesh, ndërsa gardisti ka nxjerrë armën e punës që kishte me vete dhe ka qëlluar 34-vjeçarin Xhepa. Plumbi i pistoletës e ka goditur këtë në këmbë, në zonën e kofshës duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Pas kësaj, i dëmtuari është përcjellë me të shpejtë për në spital, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të shumtë policie, të cilët kanë vënë nën pranga të dyshuarin si autor të krimit. Mjekët që i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore të plagosurit e kanë klasifikuar të rëndë plagën tejshpuese që ai kishte në kofshë, por kanë përjashtuar rrezikun e jetës për të, pasi ndërhyrja ka qenë e shpejtë. Sipas tyre gjatë transportimit, viktima ka humbur një sasi gjaku. Ndërsa i dyshuari si autor i krimit është shoqëruar në komisariatin numër 2, të policisë së kryeqytetit ku i është nënshtruar një seance pyetjesh. Paraprakisht, policia i ka komunikuar atij akuzën e "tentativës së vrasjes", e cila pas analizimit të rrethanave të ngjarjes mund të zbutet në "plagosje të rëndë me dashje".                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›