E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcunjtë e politikës

Në të zbehur të "flakës" së ndezur prej tekstit të historisë 12 u hodhën kërcunj të tjerë, që mesa duket do ta mbajnë më gjatë të nxehtin. Kjo kuptohet, shumë duar u avitën pranë zjarrit, ca për ngrohje e ca për muhabet. Kamera e gazetarë në këmbë gati për të shërbyer nevojat e rreth vatrës, me mikrofona në dorë drejt kapjes fluturim të fjalëve në përhapje si gacat e prushit. Me kafenë e mëngjesit e me gazetë përpara u nxehën bisedat. I erdhi radha më ngjan, harruar me kohë por u kujtuan, kot si thonë më mirë vonë se kurrë. Për Ahmetin e kanë llafin, për mbretin Zog të shqiptarëve. Jo këtë të sotmin, as atë të riun, por të parin fare, atë që iku më ‘39-n kur hyri Italia. Po ç‘u duhet tani, ai është rehat në Francë, ku edhe mbylli sytë me ‘61-shin!

Pse e trazojnë?

Epo erdhi ora le të vijnë të gjithë, nuk kanë më inate me ta, të mirë e të ligj, shqiptarë janë, zogistë e ballistë, këtu kanë mbirë dhe janë bërë, të syrgjynosur e të braktisur. U vërtita në këtë hyrje, pasi nuk e pata të lehtë të futesha në rrjedhën normale që lipset për një shkruarje. Pak më shumë se ca ditë dëgjuam se po organizohet sjellja e eshtrave të Mbretit në Atdhe. Madje, kjo ndoshta për garniturë, pas emrit të Naltmadhnisë u renditën Fan Noli në Amerikë, Nënë Tereza në Indi, Mithat Frashëri në Amerikë, Abaz Kupi në Angli e kështu me radhë. Pse kaq vonë dhe pse tani është tjetër kapitull që do të na fuste në skuta dhe do ta kishte vështirë të dilte edhe zgjidhësi më i talentuar i fjalëkryqeve.

E thënë seriozisht, kjo ka qenë e nevojshme të ndodhte me kohë dhe në të "fikur" të zjarrit që u ndez menjëherë në agimin e ditës së parë pas gremisjes së komunizmit. Po të vërdallisesh nëpër Shqipëri e ke të vështirë të gjesh shenja historike të lashta e moderne që nuk janë ngucur apo dhe rrënuar fare. Nuk dihet ende ku ka lindur Heroi ynë Kombëtar, ku janë eshtrat e të madhit Skënderbe. As Bonopartit të Ballkanit, Ali Tepelenës s‘i lanë gurë në fshatin e tij si shenjë a truall. Kalaja me emrin e Pashait nuk mund të vizitohet pa maskë në fytyrë, një kazan i vërtetë plehrash. Minat ia vunë kullës së Burgajetit dhe varrit të Nënës Mbretëreshë. Prapësitë e ‘97-s e kthyen në "identitet" vilën magjepsëse që Mbreti ndërtoi në kodrën e Durrësit. Dhe ligështohemi kur na thonë se s‘kemi histori e origjinë, se nga malet jemi rrjedhur si vullkan shkatërrues mbi gjithçka që me vijë e rregull u ujdis. Nuk sosën këto shembuj deri në bazën e piramidës së vetëshkatërrimit. Historitë e dala në dritën e diellit na treguan se asnjë po e theksoj, asnjë burrë të bërë në këtë vend nuk mund ta gjesh pa dritëhije e ngarkesa të çuditshme në ngjyrime e kontraste befasuese. Ndaj ky akt do jetë fundi i një marrëzie apo vazhdimi i këtij avazi të trashëguar nga brezi në brez! Kthimi i tyre në Atdhe pa reagime e tifo, me kryeulësi e heshtje do të jetë ogur i mirë për sot e tutje, për të kuptuar se të tërëve u takon një vend prehje, pavarësisht opinioneve për mirë a keq në ngjyrë të bardhë a të zezë, në këtë apo atë krah të historisë. Bëjeni o ju që e keni në dorë, uratë do keni edhe ata që s‘ju mbështesin një ditë do t‘ju kuptojnë, por një gjë është e sigurt, nuk do të ndodhin më pas jush të tilla paudhësi. Ndërpriteni këtë ingranazh makabër që ka përtypur çdo gjë pa lënë mbi dhe asgjë. E atëherë do ta kuptojmë më mirë pse ca ikën e të tjerë nuk u kthyen kurrë, arsyen e mospushtetlëshimit deri në kryeneçësi, jotolerancën dhe mosmirënjohjen, respektin për fituesit e radhëve dhe mëshirën njerëzore për humbësit që s‘arritën dot në finish. Dikush duhet ta hedhë këtë hap që nuk është thjesht një ceremoni riatdhesimi eshtrash të këtij apo atij personaliteti historik. A do të "pranojnë" ata të riatdhesohen në prehje të përjetshme pa u trembur se edhe në atë sipërfaqe toke të kthyer nuk do të rehatohen gjatë. E kam të vështirë ta besoj amanetin që paska lënë Noli për t‘u varrosur në tokën mëmë. Në gjallje ishte njeriu që u lebetit në arrati nga moskuptimi dhe zhgënjimi i madh. Iu avit Zogu në ekzil për ta komanduar në krye të qeverisë, pasi vendi të lirohej nga pushtuesit. Ca thonë se u josh nga kjo ofertë, të tjerë se Noli e sikterisi mbretin dinak duke kujtuar gjithnjë ato që ngjanë dekada më parë. Edhe ai që Noli në letërkëmbim do i drejtohej Zoti Komandant nuk reshti së serviruri vend e post, por burri i mençur nuk i besonte më askujt. Këtë frikë e drojë njeriu i letrave e ka pasur në gjallje e pas ikjes në botën tjetër. Më shumë se askush nga bashkatdhetarët e vet ai e kishte kuptuar se në këtë vend të quajtur Shqipëri e kanë me zell të të ngacmojnë kur bie nga kali apo më keq edhe në dynjanë tjetër. Duke shkruar aktin e paqes me të gjithë ata që për kokë të vet shkuan në drejtime të ashtu menduara do të kuptojmë më mirë se ky pakt ka nevojë të nënshkruhet nga të gjallët mbi këtë dhe që brezat e pasuar ta trashëgojnë në rrugëtimin e tyre. Po kush u afron siguri të ndjerëve pa dallim se do i paqtojmë me zotim që nuk do të bëhen subjekte të sherreve pa fund në kafene e studio emisionesh televizive!

E vështirë të ndodhë, por jo e pamundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›