E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, plagoset me armë nipi i Ben Qimes

Policia: Plagosja e tij dhe tre personave të tjerë është kryer nga një 28- vjeçar nga Vlora pas një konflikti

TIRANË- Një sherr banal i ka rrezikuar seriozisht jetën katër personave mesnatën e së dielës në qytetin e Fierit. Konflikti ka nisur në orët e darkës dhe më pas ka degjeneruar me disa të shtëna në lokal. Një prej të plagosurve është nipi i Arben Isufajt, një prej të fortëve të qytetit të Fierit. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme konfirmuan ngjarjen dhe pohuan se disa orë më pas kanë gjetur makinën e atentatorit, e cila ishte braktisur në fabrikën e ish- tullave në qytetin e Vlorës. Ai është identifikuar si shtetasi Anxhelo Sado, 28 vjeç, nga Vlora.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen Sheq i Madh të Fierit. Dëshmitarët okularë dhe hetimet e para kanë treguar se shtetasit Ahmet Isufi, 45 vjeç, Amarildo Isufi, 23 vjeç, Tomor Jarua, 48 vjeç dhe Gentian Mata, 30 vjeç, kanë pasur një konflikt disa orë më parë me një person nga Vlora. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, sipas policisë, rezultoi se ngjarja fillimisht ka ndodhur rreth orës 19.30 ndërmjet shtetasve të lartpërmendur dhe Anxhelo Sados, banues në qytetin e Vlorës. Por ky i fundit nuk e ka duruar sherrin dhe është larguar për tu kthyer sërish dhe këtë herë me një pistoletë me vete. Sado ka gjetur katër personat me të cilët ishte zënë në afërsi të një objekti në ndërtim e sipër. Nga të shtënat e armës së zjarrit janë plagosur shtetasit Ahmet Isufi, Amarildo Isufi, Tomorr Jarua dhe Gentian Mata. Shtetasi.Amarildo Isufi, i cili ndodhej në gjendje më të rënde nga të plagosurit e tjerë është dërguar menjëherë në spitalin e Tiranës në orët e vona të natës, ndërsa tre personat e tjerë kanë marrë plagë më të lehta nga arma e zjarrit tip pistoletë dhe aktualisht ndodhen në spitalin e Fierit, jashtë rrezikut për jetën.

Pas kryerjes së krimit, 28- vjeçari Anxhelo Sado është nisur në drejtim të Vlorës me një mjet tip “Benz” me targa “TR 7529 P”. Në vendin e quajtur fabrika e tullave, në hyrje të qytetit të Vlorës, ai e ka braktisur makinën, e cila është gjetur nga policia. Kjo e fundit ka bërë të mundur identifikimin e personit duke përcaktuar njëkohësisht edhe identitetin e tij. Disa minuta më pas, policia ka shkuar në banesën e Sados por ai nuk ndodhej aty. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar në cilësinë provës materiale 10 copë gëzhoja të kalibrit 9-mm si dhe tre predha po të këtij kalibri ndërsa arma e krimit nuk është gjetur. Në këto kushte për shtetasin Angjelo Sado është bërë shpallja në kërkim për veprën penale të vrasjes së mbetur ne tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›