E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi, 10 mijë vaksina vijnë në fund të javës

 

Dhjetë mijë doza vaksinash pritet të mbërrijnë në fund të kësaj javë në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ato deri tani janë vonuar nga kompanitë prodhuese. Vaksina do të shpërndahet nëpër qendra shëndetësore për t’u marrë nga falas nga qytetarët. Drejtori i politikave shëndetësore në ministri, Pëllumb Pipero, sqaron se vaksina nuk ka efekte anësore afatgjatë. “Megjithatë është në dorën e pacientit nëse do ta bëjë apo jo, nuk mund të detyrohet askush. Ajo çka ne bëjmë është të këshillojmë grupet në risk që ta marrin atë”, tha Pipero. Ndërkaq dje në sanatorium është paraqitur një tjetër person me grip derrash, në gjendje të rënda. Gjithashtu gruaja shtatzënë, e shtruar prej disa ditësh në reanimacionin e spitalin “Nënë Tereza”, duket se nuk ka ndonjë përmirësim të dukshëm.  ”Nga fillimi i dhjetorit deri sot kemi regjistruar 14 raste në gjendje të rëndë. Një pjesë e mirë e tyre janë përmirësuar. Ato përbëjnë rreth 60% të rasteve të rënda, që nga nisja e epidemisë së gripit, ku në total kemi 30 raste të rënda. Pra do të thotë se këto dy javë komplikacionet kanë qenë më të mëdha, çka të bën të mendosh se epidemia nuk e ka humbur aspak fuqinë e saj”, shprehen burimet. Sipas tyre, duhen monitoruar të gjitha rastet e rënda. ”Numri i të prekurve nga gripi i derrit është shumë herë më i lartë nga të dhënat zyrtare, por pjesa më e madhe e qytetarëve e kanë kaluar me forma të lehta”, sqarojnë burimet nga stafi i specialistëve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik. Sipas tyre, epidemia në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera të Evropës është më e lehtë. ”Po t’i referohesh, qoftë të prekurve, qoftë numrit të vdekjeve, epidemia tek ne ka qenë me e lehtë se në SHBA dhe vende të tjera të Evropës, por e keqja s’ka kaluar akoma, mbeten edhe dy muaj dhe nga të gjitha strukturat duhet bërë shumë kujdes”, nënvizojnë burimet.          z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›