PS, rikthehen protestat pa aleatët
Durrës/Oerd Ulqini
Partia Socialiste nisi dje nga Durrësit turin e dytë të protestave për hapjen e kutive. “Hap kutitë ose largohu”! ishte slogani i mitingut të protestës së socialistëve, ku përveç transparencës së zgjedhjeve, kryefjalë e tij ishte dhe situata ekonomike në të cilën pritet të bjerë vendi. Por dje në Durrës, protesta është zhvilluar vetëm me përfaqësues të PS-së, dhe kanë munguar aleatët e majtë dhe të djathtë të opozitës. Mësohet se selia rozë nuk i ka bërë thirrje aleatëve të saj që t’i bashkohen PS në turin e dytë të protestave, madje nuk është zhvilluar asnjë tryezë për këtë tur protestash, i cili përmbyllet këtë vit më 21 dhjetor në Tiranë.
Rama
Kreu i selisë rozë theksoi se opozita është e bashkuar për të çuar deri në fund atë që ai e quajti betejë për liritë e të drejtat e barabarta. “Në 2010 më shumë në shesh. Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse po prek përditë liri dhe të drejtat e barabarta kushtetuese, të gjithë shqiptarëve sipërmarrës, të cilët punësojnë të tjerë shqiptarë që ushqejnë familjet e tyre me punë dhe me mund dhe meritojnë të trajtohen me nderim e dinjitet nga qeveria e vendit të tyre, jo me përçmim dhe agresivitet, nga një pushtet që ju ka grabitur votat për të grabitur edhe vendin”, u shpreh Rama. Ndërsa bëri një përmbledhje të situatës ekonomike e sociale të vendit, kryesocialisti nënvizoi se viti që po vjen po troket “me një thes me probleme të vjetra e pasiguri të reja”. “E ardhmja është e zymtë për të gjithë qytetarët dhe biznesin” - deklaroi Rama. “Rritja e çmimit të energjisë, punësimi në nivelet e ulëta, korrupsioni në sistemin shëndetësor, leku i zhvleftësuar, dërgesat në ulje të emigrantëve, etj si këto, janë sipas Ramës faje të qeverisë”. Kryesocialisti akuzoi qeverinë se në këtë situatë të vështirë për shqiptarët, ajo vazhdon të mbetet me legjitimitet të cunguar. “Në këtë krizë qeveris një pushtet pa legjitimitet që rri mbi kutitë e grabitura. Pushtet agresiv që e ka kthyer qeverinë dhe vendin në një regjim për familjen e Berishës, në një oborr ku lidhen e zgjidhen fijet e interesave”, u shpreh Rama përpara qytetarëve të Durrësit, që ju bashkuan thirrjes së opozitës për të protestuar për kutitë e votimit dhe varfërinë që sipas tyre ka përfshirë vendin. Duke i bërë një rezyme situatës politike dhe gjuhës së përdorur nga Kryeministri Berisha, Rama ftoi të gjithë qytetarët në këto protesta, që nënkuptojnë jo vetëm hapjen e kutive të 28 qershorit, por edhe largimin e kryeministrit dhe të Ilir Metës, të cilin ai e cilësoi si një “nuse për integrim”. Më pas Edi Rama akuzoi Rulët, Xhuvelët, Imamët, e Neritanët, për atë të cilin ai e quajti servilizëm. Midis të tjerash, Rama para simpatizantëve në Durrës i bëri apel Berishës të ndalojë gjuhën e urrejtjes ndaj opozitës shqiptare. “Berisha nuk mund ta shpallë opozitën mafie, sepse është qeveria e tij ajo që ka shkaktuar 26 viktima në Gërdec” -tha Rama nga foltorja e Durrësit. Protesta e radhës e opozitës vazhdon sot në qytetin e Beratit, duke përfunduar më 21 dhjetor në Tiranë.
Vangjush Dako
“Nga 1 janari, si rrjedhim nga dhunimi i qeverisë, për pushtetin lokal Bashkisë Durrës 30% më pak të ardhura, më pak investime në shkolla dhe kopshte, 15 mijë pemë më pak, më pak sheshe shplodhëse. Nga 1 janar, rrezikojnë të humbin vendin e punës 250 persona, nga politika e mbrapshtë e kësaj qeverie. Shqipëria vendi më i prapambetur në Evropë, është ende faqja e zezë e Evropës”, u shpreh Dako.
Blendi Klosi
“I bëjmë thirrje Berishës të hapë kutitë ose të largohet. Duke bashkuar zërin me 400 biznese të Durrësit, të cilët nga paaftësia e Berishës dhe Bodes po kalojnë në biznese të mëdha, duke i detyruar ata që të ulin qepenat. E pafalshme që interesat e qytetarëve të këtij qyteti të helmohen nga interesat e qeverisë dhe të familjes, sepse kjo qeveri dhe Sali Berisha nuk dëgjojnë interesat e qytetarëve, por të Fazlliçit”, tha Klosi.