E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet Kombëtare të Letërsisë shtyhen për janarin e 2010-s



Izaura Ndoj

Çmimet e përvitshme të letërsisë që tashmë kanë ndërruar emër nga “Penda e artë dhe e argjendtë” duke u bërë “Çmimet Kombëtare të Letërsisë”, për vitin 2009 zhvendosen në janarin e vitit 2010. Një njoftim nga MTKRS-ja sinjalizonte për mbylljen e këtij konkursi rreth datës 20 dhjetor, ç’ka do të linte jashtë konkursit botimet e javës së fundit të dhjetorit. Për këtë arsye konkursi i përvitshëm që organizon Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të mbahet javën e fundit të janarit 2010 me qëllim që juria të gjykojë edhe veprat e fundit që do të hidhen në treg deri më 31 dhjetor. Juria ka një ndryshim të vogël kësaj here. Zija Çela i cili mbulonte seksionin e prozës në veçanti është zëvendësuar nga Bardhyl Londo, ndërsa ajo që do të gjykojë mbi konkurrentët dhe ndarjen e çmimeve përbëhet nga: Mark Marku (kryetar), Parid Teferiçi, Mirela Kumbaro dhe Agron Gjekmarkaj. Ajo do të vlerësojë cilat janë veprat më të mira të letërsisë dhe kulturës kombëtare, botuar gjatë vitit 2009, pasi të ketë shqyrtuar dhe zgjedhur nga prurjet e 120 shtëpive botuese shqiptare. Në gjykim merren vepra të botuara në mënyrë legale në territorin e Shqipërisë, nga rreth 120 shtëpi botuese. Çmimet që do të jepen janë: Çmimi Gjergj Fishta - autorit që me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar; Çmimi Faik Konica - autorit që me anë të studimit ose kritikës ka ofruar zbulime ose interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare; Çmimi Fan Noli - për përkthim nga gjuha e huaj në shqipe. Çmimi Mitrush Kuteli - për prozën e shkurtër; Çmimi Petro Marko - për romanin. Çmimi Migjeni - i jepet autorit që ka mundur të përcjellë tek lexuesi modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar; Çmimi Lasgush Poradeci - për vepër poetike; Çmimi Jusuf Vrioni - për përkthyesin në gjuhë të huaj; Çmimi At Donat Kurti - për shkrimtarin për fëmijë; Ka edhe çmim karriere që deri para dy vitesh është identifikuar me emrin “Penda e Artë”.
“Penda e artë” në 2008, fiton Kadareja
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka vlerësuar shkrimtarët më të mirë të vitit 2008. Ministri Ylli Pango i ka dorëzuar çmimin e madh për letërsinë (më parë “Penda e artë”) shkrimtarit Ismail Kadare për romanin “Darka e gabuar”. Juria e përbërë nga Mark Marku, Mirela Kumbaro, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj dhe Zija Çela i akorduan çmimin për romanin më të mirë, “Petro Marko”, shkrimtarit nga Kosova Mehmet Kraja, për romanin “Selvitë e Tivarit”. Çmimin “At Gjergj Fishta”, për esenë më të mirë e mori Prof Artan Fuga për librin “Brirët e Dhisë”. Studiuesi Jorgo Bulo u vlerësua me çmimin “Faik Konica”, për studimin e veprës së plotë të Andon Zako Çajupit. Si autori i ri më i mirë për 2008-ën u cilësua Alba Shala. Ajo mori çmimin Migjeni për librin e saj “Papa dixhital”. “Gjallë unë pashë” është vëllimi poetik për të cilin Preç Zogaj u vlerësua me çmimin "Lasgush Poradeci". Për kontributin e dhënë për sjelljen në shqip të veprave të mëdha të letërsisë botërore pesë anëtarët e jurisë e kanë ndarë çmimin "Fan Noli" mes përkthyesve Pashk Gjeçi dhe Shpëtim Çuçka. Të dy kanë sjellë në shqip të njëjtën vepër, “Faustin” e Gëtes, i paëri në dialektin gegë dhe Çuçka në gjuhën standarde. Përkthyesi i veprave shqip në gjuhën angleze John Hodgson u vlersëua me çmimin “Jusuf Vrioni”.

Piktori Jorgo Gogu ekspozon në Muzeun Kombëtar

Piktori Jorgo Gogu ka hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një ekspozitë vetjake të titulluar “Refleksione 92”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 16 dhjetor. Jorgo Gogu, me dilemën e përjetshme të artistit të shqetësuar të ngjyrës dhe formës na befason me 23 pikturat dhe vizatimet grafike, të cilat na afrojnë me subjekte të prekshme dhe të veçuara nga jeta e përditshme. Jorgaq Gogu është një piktor që i përket plotësisht pasqyrimit të figurës, si forma më tradicionale e shprehjeve artistike. Krijimtaria e tij është ekzekutuar dhe ekspozuar prej më se 40 viteve. Ajo që paraqet në këtë ekspozitë lidhet me përpjekjen e tij në pikturë. Kjo përpjekje e ka vënë Jorgaqin para një sfide të madhe, të cilën e dëshiron ta përballë e ta paraqesë në publik. Nisja nga eksperiencat botërore të artit dhe përballja me figurativen e Gogut zbulon se në mënyrë referente ka zgjedhur të interpretojë idetë e tij me figurën njerëzore nëpërmjet elementeve të vizatimit dhe ngjyrës. Jorgo Gogu lindi në Berat në vitin 1944. Mbaron Liceun Artistik në vitin 1965 dhe fillon punë si mësues vizatimi qytetin e Beratit. Në periudhën 1966 -1991 merr pjesë në ekspozitat lokale dhe kombëtare. Në vitin 1966 përfaqësohet në ekspozitën kombëtare me skulpturë dhe në vitin 1972 me pikturë. Kryesisht ka ekspozuar në pikturë tekstile, ku dhe është nderuar me disa çmime. Krijimtaria e tij shtrihet në pikturë, skulpturë, skenografi dhe pikturë tekstili. Jorgo Gogu pas viteve ’90 shkëputet për një periudhë të gjatë si emigrant në Greqi ku ushtron profesionin e tij si piktor dhe skulptor, për tu kthyer në vitin 2004 përsëri në Shqipëri. Në qershor të viti të kaluar Gogu hapi po në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet ekspozitën “Histori Rrëfenjash” me 40 punime në akrelik të tijat dhe të nipit të tij Teo Gogut.

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›