E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Tani, biznes dhe licencë brenda 4 ditëve

 

Lehtësimi i situatës për sipërmarrësit e rinj dhe një shërbim më i shpejtë. Ky ka qenë motivi i nënshkrimit të marrëveshjes së ditës së djeshme mes Qendrës Kombëtare të Licencimit dhe Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ku kjo e fundit vë në dispozicion rrjetin e saj të ngritur për dhënien e licencave jo vetëm në Tiranë. I pranishëm në këtë event të rëndësishëm ishte edhe ministri i Ekonomisë Tregtisë, dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ai vuri në dukje kontributin e rëndësishëm të qendrave të shërbimit me një ndalesë për regjistrimin dhe licencimin e bizneseve në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Ai theksoi se brenda QKR-së, vetëm sot ofrohen rreth 65% e të gjitha lejeve dhe licencave që jepen në Shqipëri për të hapur një biznes. Deri dje këto leje dhe licenca janë dhënë nëpër institucione të ndryshme të shtetit shqiptar. “Ne për të lehtësuar gjithë punën e biznesit për të marrë këto leje e licenca, i kemi grumbulluar në një sportel të vetëm”, theksoi ministri. QKL-ja dhe QKR-ja janë dy institucione të ngritura me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, si nisma të qeverisjes elektronike që u kursejnë investitorëve kohë të vlefshme në hapjen dhe zhvillimin e biznesit të tyre, ndërkohë që rrisin transparencën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›