E Diel, 1 Nëntor 2026

Çuntis: Zgjidhje të shpejtë për situatën politike

Autori i Lajmit: Redaksia
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua në Bruksel me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin grek Nikolas Çuntis. Në takim u diskutuan çështje të aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat në BE apo dhe përmbushjen e kritereve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ministri i Jashtëm informoi eurodeputetin grek dhe mbi situatën politike në Shqipëri. Meta ripërsëriti qëndrimin e mazhorancës për një zgjidhje ligjore, e cila nuk tejkalon kompetencat e sistemit gjyqësor. Eurodeputeti grek theksoi nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë të situatës politike, nisur nga nevojat e vendit për integrim evropian. Eurodeputeti grek tha se ministri Meta i paraqiti një situatë objektive të të gjitha zhvillimeve në Shqipëri. Një bazë e mirë kjo, sikundër tha Çuntis për një bashkëpunim konstruktiv në të ardhmen. Përfaqësuesi i Parlamentit Evropian paralajmëroi një vizitë në Shqipëri në fillim të vitit që vjen.

Takmi

Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit nga Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Nikolas Çuntis. Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe atij të integrimit të plotë të Shqipërisë në BE si dhe u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Meta, pasi e informoi eurodeputetin Çuntis mbi përgatitjet e Qeverisë shqiptare për tiu përgjigjur pyetësorit dhe angazhimin e saj për zbatimin e reformave të ndërmarra, e siguroi atë se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave me BE dhe do të forcojë bashkëpunimin me Parlamentin Evropian. Gjithashtu, Meta i shprehu Çuntis vullnetin e Qeverisë dhe qëndrimin e saj tepër konstruktiv për tiu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime dhe të arsyeshme që vijnë nga opozita, duke theksuar se bashkëpunimi me opozitën duhet realizuar pa ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit, një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, ndërtimin e të cilit e kërkon edhe Bashkimi Evropian. Çuntis vlerësoi objektivitetin dhe realizmin e përqasjes ndaj çështjeve të ndryshme prej Metës dhe shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Puna jonë fokusohet në mënyrën sesi Shqipëria po përmbush detyrimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çështjet politike janë të brendshme dhe i takojnë partive politike. Ne urojmë që problemet e brendshme të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe sa më shpejt të jetë e mundur që të mund të arrihen qëllimet e qytetarëve për integrim. Puna dhe dëshira jonë fokusohet në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, - u shpreh Çuntis. Ky takim shfaq për herë të parë Raportuesin për Shqipërinë, që nga konstituimi i Parlamentit të ri Evropian. Në fund të muajit shtator, Parlamenti përcaktoi raportuesit për të gjitha vendet e Ballkanit. Meqenëse asnjë nga grupet kryesore politike, që kishin bërë përzgjedhjen e tyre ne rajon, nuk paraqiti interes për të mbuluar Shqipërinë, ky vend i ngeci Konfederatës së partive të vogla ekstremiste të majta në Parlamentin Evropian. Grupimi i komunisteve evropiane siç njihet ndryshe përcaktoi po ashtu me vonesë emrin e raportuesit, duke përzgjedhur përfaqësuesin e komunistëve të Greqisë, Çuntis. Për shkak të një ndërhyrje kirurgjikale në sy, eurodeputeti grek nuk ka mundur deri më sot të jetë aktiv në Parlamentin Evropian për çështjet që lidhen me Shqipërinë.

Angazhimet e qeverisë

Po përgatitemi për pyetësorin

Jemi të hapur për bashkëpunim konstruktiv me opozitën

Nuk duhet ndërhyrë tek vendimet e gjykatës dhe as tek pavarësia e gjyqësorit

Do forcojmë bashkëpunimin me Parlamentin Evropian

Ky lajm është publikuar: 11/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›