E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, është përdorur vetëm 5% e vaksinës

 Pesë persona janë aktualisht në gjendje të rëndë, si pasojë e gripit të derrave. Ata po marrin asistencë mjekësore në sanatoriumin e Tiranës. Ndërkaq, sipas drejtuesve të Institutit të Shëndetit Publik, virusi pritet që të qarkullojë me intensitet edhe për 6 javë të tjera në vend. "Kemi 5 raste të tjera të rënda. Ne kryejmë analizat vetëm tek këto raste", tha dje  drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Por ndonëse virusi vazhdon të përhapet, si mjekët dhe qytetarët hezitojnë të injektojnë vaksinën kundër tij. Sipas Alban Yllit, nga 10 mijë doza të shpërndara vetëm 5 % e tyre janë përdorur. "është e vërtetë që po përdoret pak nga grupet me prioritet. Nuk është çudi të marrim një vendim tjetër. Nëse personeli shëndetësor nuk do ta përdorë, atëherë do ta ofrojmë për grupet e tjera", tha ai. Personat më të rrezikuar nga gripi i derrave mbeten të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. Pjesa më e madhe e viktimave të regjistruara deri tani i përkasin pikërisht këtyre grupeve. Vetëm gjatë muajit dhjetor, gripi i derrave shënoi 9 viktima. Mes tyre edhe dy gra shtatzëna. Qytetarët këshillohet që të kryejnë vaksinën kundër virusit gjatë këtij muaji. Atë nuk do ta injektojnë personat me alergji ndaj vezës. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që të mos aplikohet për fëmijët nën 1 vjeç. Gjithashtu qytetarët duhet të bëjnë kujdes me higjienën personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›