Ushtria ndërton argjinatura 1 kilometër me thasë me rërë
Forcat ushtarake angazhohen në ndërtimin e argjinaturës në ishull Lezhë, me një gjatësi prej 1 mijë metrash. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se forcat ushtarake të angazhuara për përballimin e situatës së emergjencës në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës vijojnë punën për të minimizuar dhe parandaluar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Aktualisht ka përfunduar argjinatura në ishull Lezhë, në një gjatësi prej 500 metrash, ndërsa po punohet për përfundimin e plotë të saj. Po kështu vazhdon puna edhe për riparimin e argjinaturës së Dajçit. Në këtë argjinaturë me gjatësi 14 kilometra, janë vendosur 3000 thasë me rërë dhe janë kryer punime të tjera të domosdoshme për strukturën e argjinaturës. Ministria bën të ditur se forcat ushtarake nisën dje në mëngjes dhe kanë përfunduar rreth mesditës ndërtimin e urës tip "Bejli" me gjatësi 9 metër në Muriqan të komunës Obot. Në fshatin Obot janë shpërndarë me anë të gomoneve dhe motobarkave ushtarake rreth 200 pako me ndihma ushqimore, afërsisht tre ton me materiale të nevojshme për familjet që kanë shtëpitë e përmbytura. Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion për banorët që evakuohen, Shtëpinë e Pushimit në Durrës me një kapacitet prej 420 personash. Gjithashtu, është përfunduar dhe vënë në gatishmëri të plotë një kamping me të gjitha pajisjet, i cili mund të strehojë mbi 130 persona. Sipas informacionit zyrtar, aktualisht janë të angazhuar në terren rreth 164 forca, 48 mjete si; 12 kamionë, 6 gomone, 1 ambulancë, 14 vetëshkarkues, 1 karroofiçinë, 4 fadroma, 2 eskavatorë dhe mjete të tjera. Zonat ku operojnë forcat ushtarake në Qarkun Lezhë janë: Tale dhe Shëngjin; në Qarkun Shkodër: Obot, Oblik, Dajç, Muriqan, Darragjat, Shirq dhe Vau i Dejës. Forcat e Armatosura kanë vendosur në dispozicion të Shtabit të Emergjencave kapacitete të mjaftueshme për zhvendosjen e banorëve, ndër të cilat forca njerëzore dhe mjete për transportim të mallrave dhe të bagëtive. Shumë prej banorëve janë vetë zhvendosur tek të afërmit ose kanë refuzuar largimin nga banesat.te dhena• Po punohet në ndërtimin e argjinaturës në ishull Lezhë me një gjatësi prej 1 mijë metrash• Po punohet për riparimin e argjinaturës së Dajçit, me gjatësi 14 kilometra, janë vendosur 3000 thasë me rërë.• është përfunduar ndërtimi i urës tip "Bejli" me gjatësi 9 metër në Muriqan të komunës Obot• Janë të angazhuar në terren rreth 164 forca• Në dispozicion janë 48 mjete si; 12 kamionë, 6 gomone, 1 ambulancë, 14 vetëshkarkues, 1 karroofiçinë, 4 fadroma, 2 eskavatorë