E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori italian D’Elia: Maxhoranca dhe opozita, pakt për reformat në Kuvend

 

REDI GJUZI

Ngërçi politik duhet zgjidhur me dialog, dhe ky dialog bëhet në Parlament. Kjo është këshilla që Ambasadori Italian në Tiranë, i jep politikanëve shqiptarë në këtë situatë të acaruar. “Urimi im është që palët, mazhoranca dhe opozita, të përshtatin, që të dyja, një qëndrim politikisht të pjekur e të përgjegjshëm në të mirën e vendit”. Në një intervistë ekskluzive për gazetën, Saba D’Elia tregon se për bashkëpunimin mes dy vendeve gjatë periudhës që ai ushtron detyrën në Shqipëri dhe zhvillimet e rëndësishme diplomatike që pritet të ndodhin gjatë dy viteve të ardhshme.
Prej 20 vitesh Italia është vendi që ka treguar vëmendjen më të madhe ndaj Shqipërisë. Si e shihni këtë marrëdhënie që është zhvilluar prej viteve ’90 deri në ditët e sotme?
Lidhja mes shqiptarëve dhe italianëve është më se e lashtë. Që prej vitit 1400, bashkësitë e para shqiptare u ngulën në Itali, duke krijuar kështu fillesat e komuniteteve Arbëreshe të sotme. Sot marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, si në drejtimin politik, ashtu dhe në atë të shoqërisë civile. Lidhja mes Italisë dhe Shqipërisë ndjek një zhvillim në treqindegjashtëdhjetë gradë, në fushat e politikës, të ekonomisë, të kulturës, të arsimit si dhe në sektorin e bashkëpunimit për zhvillim, aq sa mund të konsiderohet si një model për marrëdhëniet me vendet e tjera. Në përvojën time shumë vjeçare jashtë vendit, nuk kam hasur kurrë një lidhje kaq të ngushtë sikurse ajo që ekziston midis dy vendeve tona.
Në vitin 1991, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, kur mbi Shqipërinë pllakosën vështirësitë e mëdha ekonomike dhe shoqërore, Italia u vu menjëherë në veprim për prurjen e ndihmave humanitare: kujtoj këtu se si misioni “Pelikan” shpërndau ndihmat e emergjencës, duke  i siguruar ndërkohë popullatës ndihmesën shëndetësore si dhe furnizimin me ilaçe. Më tej  në 1997, misioni Alba, besoj të gjithë ju e mbani mend. Që prej këtyre momenteve, Italia e ka shoqëruar Shqipërinë në udhën e saj drejt stabilizimit dhe rritjes. Dëshiroj të kujtoj se në 20 vitet e fundit Italia i ka dhënë Shqipërisë rreth 1 miliard Euro, që në fazën e parë u përqendruan në ndërhyrjet e emergjencës e tashmë janë drejtuar në fuqizimin e institucioneve dhe rrafshit shoqëror dhe ekonomik të Vendit. Pra, historikisht Italia ka qenë mike e Shqipërisë, si në çastet e vështira, ashtu dhe në ato të rritjes së përbashkët. Mjaft të mendojmë për mbështetjen e fuqishme që i është dhënë Tiranës në udhën drejt integrimit në NATO, si dhe në atë drejt aspiratave evropiane të Shqipërisë.
Prej 2 vitesh jeni Ambasador i Italisë. Cili është bilanci juaj i këtyre dy viteve të para dhe cilat janë perspektivat e ardhshme të qëndrimit tuaj në Shqipëri?
Ndodhem në Shqipëri prej 2 vitesh në cilësinë e Ambasadorit të Italisë, dy vjet gjatë të cilave Shqipëria ka arritur mjaft përparime ndërkohë që gjatë po kësaj periudhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë përforcuar më tej.
Prej ardhjes time këtu, vizitat e zyrtarëve më të lartë kanë ndjekur njëra – tjetrën me një ritëm të vazhdueshëm, si dhe janë nënshkruar marrëveshje mjaft të rëndësishme që synojnë të përforcojnë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Kujtoj në veçanti Marrëveshjen mbi Rregullimin e Fluksit Migrator në fushën e Punësimit, Marrëveshjen në fushën e Bashkëpunimit Gjyqësor dhe Ekstradimit, Marrëveshjen mbi Njohjen e Lejeve të Qarkullimit, por jo më pak të rëndësishme, aktet për bashkëpunimin ekonomik për një vlerë prej rreth tre miliardë euro. Pra një bilanc absolutisht pozitiv, dhe jam i sigurt se në të ardhmen perspektivat do të jenë akoma dhe më nxitëse.
Tanimë jemi duke punuar intensivisht për të arritur përmbylljen e një “Deklarate Solemne” mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila nëpërmjet një dialogu politik të strukturuar në nivelet më të larta të Kryeministrave, të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Ministrave Teknikë të të dy vendeve, do të krijojë një partneritet strategjik. Bëhet fjalë për një instrument të një niveli shumë të lartë, në mbështetje të mëtejshme të dialogut dypalësh më se të frytshëm. Deklarata të ngjashme janë nënshkruar vetëm me një rreth të ngushtë shtetesh të tjera, me të cilat Italia ndjen të ketë lidhje e perspektiva zhvillimi të veçanta. Italia ndjen nevojën që edhe Shqipëria të bëjë pjesë në këtë grup të ngushtë vendesh partnere dhe mike. Kjo do të përbëjë një hop thelbësor politiko–diplomatik në pranverën e ardhshme 2010. Gjithashtu, jemi duke vijuar me fazën përfundimtare të negociatave për Protokollin e Ri Shumëvjeçar të Kooperacionit për Zhvillim, që do të parashikojë linjat e veprimit si dhe angazhimet në Shqipëri të Kooperacionit Italian për vitet e ardhshme.
Gjatë pranverës së ardhshme do të realizojmë një nismë mjaft të rëndësishme të politikës së jashtme, një stinë të gjerë veprimtarish italo - shqiptare, me titullin “Italia e Albania 2010 - due popoli, un mare, un’amicizia” (“Italia dhe Shqipëria 2010 - dy Popuj, një Det, një Miqësi”), e cila synon të vërë në pah marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë prej vitesh mes dy popujve. Janë duke u përgatitur rreth 60 veprimtari për periudhën nga marsi deri në qershor, në të cilat do të përfshihen të gjithë aktorët kryesorë, institucionalë dhe privatë, të sistemit Italia. Kjo nismë do të realizohet nëpërmjet linjave tematike të ndryshme: në të do të ketë hapësira kushtuar dialogut mes shoqërive civile si dhe mbështetjes që mund të japë Italia në përshpejtimin e rrugëtimit drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Do të ketë gjithashtu momente të rëndësishme reflektimi mbi mënyrën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mjaft të mira në fushën e ekonomisë. Nuk do të mungojnë dhe veprimtaritë kulturore me cilësi të lartë, si ekspozita, koncerte. Sigurisht që mjaft veprimtari do t’u kushtohen tërësisht të rinjve.
Italia është investitori më i madh në Shqipëri. Si e shihni këtë marrëdhënie ekonomike e çfarë duhet të bëjë Italia dhe Shqipëria për t’i dhënë një impuls të ri? Gjithashtu, Berisha synon ta shndërrojë Shqipërinë në një fuqi energjetike të Ballkanit Perëndimor: cili është roli i shoqërisë italiane kundrejt synimit shqiptar?
Marrëdhëniet ekonomiko – tregtare mes Italisë dhe Shqipërisë janë konsoliduar më tej me kalimin e viteve, çka është favorizuar dhe nga kahja më se e natyrshme e operatorëve tanë ekonomikë drejt një tregu që ofron kushte objektivisht më të favorshme për investimet e tyre. Në veçanti, në dy vitet e fundit kemi ndjekur nga afër një rritje të ndjeshme të interesit të botës sipërmarrëse italiane ndaj tregut shqiptar: interes ky që është përkthyer jo vetëm me pjesëmarrjen në tenderimet e shpallura nga Qeveria shqiptare në sektorët strategjikë të zhvillimit të Vendit, sikurse energjia dhe infrastruktura, por edhe në nisma konkrete investimesh. Janë të shumta arsyet e një vëmendje kaq të madhe të ndërmarrjeve italiane ndaj realitetit shqiptar. Performanca mjaft e mirë e rritjes ekonomike e regjistruar në Shqipëri në dhjetëvjeçarin e fundit, afërsia gjeografike, njohja në masë të gjerë e gjuhës italiane, si dhe lidhjet e hershme kulturore dhe ekonomike mes dy vendeve tona: janë këto përbërësit kryesorë të cilët bëjnë të mundur që Italia të vazhdojë të ruajë fuqishëm pozicionin e saj si partneri i parë tregtar me Shqipërinë, që ndër të tjera paraqet dhe numrin më të madh të ndërmarrjeve me kapital të përbashkët në sektorë të ndryshëm sikurse ai i ndërtimit, shërbimeve, telekomunikacionit dhe prodhimit të energjisë nga burime të ndryshme (hidrike, me erë, biomasë, gazi natyror).
Sigurisht që perspektivat për vitet në vazhdim janë më se premtuese e mund të përkthehen në një konsolidim të mëtejshëm të pranisë ekonomike italiane në Shqipëri. Natyrisht që Qeveria shqiptare duhet të ndjekë me vendosmëri e shpejtësi udhën e ndërmarrë tashmë, për ta bërë vendin sa më të hapur e të gatshëm ndaj kërkesave të një klase sipërmarrëse, e cila ndër vite ka arritur pjekurinë e saj e tanimë është e gatshme të investojë në projekte të mëdha, të cilat do t’ia ndryshojnë faqen vendit.
Në veçanti në sektorin energjetik, ndërmarrje të rëndësishme italiane janë përfshirë tashmë në projekte të mëdha investimi të cilat kalojnë nga ai eolik në atë hidro-elektrik e të biomasës, të cilat shohin gjithnjë me interes mundësitë e reja që do të paraqiten në një të ardhme të afërt. Në fakt, Shqipëria, nga pala italiane, konsiderohet si porta më e privilegjuar në Ballkan për zhvillimin e bashkëpunimeve në sektorin e burimeve energjetike. Objektivat strategjike të Qeverisë shqiptare në sektorin energjetik, të cilat bazohen në rritjen e prodhimit dhe integrimin e vetë sistemit në tregun evropian, në të vërtetë janë në një harmoni të përsosur me politikën energjetike të ndërmarrë nga Qeveria italiane. Ajo parashikon përdorimin e burimeve të ndryshme energjetike, të cilat duhet të mbështeten, sa më shumë të jetë e mundur, në energjinë e rinovueshme, prodhuar kjo dhe në territorin shqiptar nëpërmjet investimeve të ndërmarrjeve italiane.
Si e konsideroni procesin e integrimit evropian dhe të liberalizimit të vizave, parë dhe nën këndvështrimin e qëndrimeve të Ministrit Frattini dhe të ministrit Maroni?
Italia mbështet plotësisht aspiratat evropiane të Shqipërisë e natyrisht liberalizimin e vizave Schengen, ky i fundit përbën një sinjal më se konkret të afërsisë me Bashkimin Evropian, si dhe të përkatësisë së plotë të Shqipërisë në familjen evropiane. Por Shqipëria duhet të kryejë punën e saj në përmbushjen e kërkesave të parashtruara: dokumente të sigurta, kontroll efikas i kufijve, luftë ndaj emigracionit klandestin dhe krimit të organizuar, respektim i pakicave, çka përbëjnë kërkesat thelbësore për liberalizimin. Vizita e ministrit Maroni disa ditë më parë konfirmoi dhe një herë faktin se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur.
Por do të doja të tërhiqja vëmendjen e miqve shqiptarë mbi nevojën për të vazhduar më tej, dhe pas kësaj etape të parë të rëndësishme të liberalizmit, në udhën drejt reformave me qëllim arritjen e synimit ambicioz të hyrjes në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ndodhet në një fazë krize politike, në të cilën opozita i është kundërvënë mazhorancës jashtë Parlamentit. Opozita kërkon rihapjen e kutive të votimit ndaj dhe po kryen këtë bojkotim politik. Cili është vlerësimi juaj si vëzhgues i jashtëm?
Shikoni, vëmendja e Bashkësisë Ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë e Bashkimit Evropian është hedhur drejt Shqipërisë. Në fakt, ky vend ndodhet në një fazë kyçe për jetën e tij politike, ku linjat e veprimit të politikës së brendshme janë të lidhura pazgjidhshmërisht me synimet e politikës së jashtme, çka përbën prioritetin e vërtetë aktual dhe për vitet në vazhdim: natyrisht i referohem këtu synimit të arritur tashmë të anëtarësimit në NATO dhe procesit të ardhshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe liberalizimit të vizave brenda një afati kohor të shkurtër. Për arritjen e këtyre synimeve më se impenjative, nevojiten reforma të rëndësishme e për kryerjen e reformave të rëndësishme është thelbësore një dialektikë politike e shëndetshme, konstruktive dhe demokratike që duhet të zhvillohet në gjirin e saj të natyrshëm: në Parlament. 
Urimi im është që palët, mazhoranca dhe opozita, të përshtatin, që të dyja, një qëndrim politikisht të pjekur e të përgjegjshëm në të mirën e vendit e së bashku të përcaktojnë kushtet për të kapërcyer ngërçin politik aktual e të shohin përpara drejt detyrave të përcaktuara tashmë. Në fakt, vendi nuk mund të lejojë ngadalësimin e reformave në zbatimin e tyre konkret, çka do të ishte më se e dëmshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›