E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata “Scanderbeg”, emigrantët festojnë “Javën e kulturës shqiptare” në Parma



Izaura Ndoj

Ka disa ditë që shoqata “Scanderbeg” i ka dhënë start “Javës së kulturës shqiptare” në Parma të Italisë. Ky është një eveniment që organizohet çdo vit me rastin e festës së 28 nëntorit. Është i katërti vit që shoqata “Scanderbeg” në Parma me rastin e festës së flamurit 28 nëntorit, organizon javën e kulturës shqiptare. Në këtë atmosferë feste veçantia ishte në dy aspekte thelbësore kulturore, ajo e inaugurimit të ekspozitës fotografike të titulluar “Udhëtimi i parë në Shqipëri” i fotografit Edoardo Fornaciari, e cila ka vend në Galerinë e Kolonave, Parma. Ekspozita është vizituar që në orët e para të inaugurimit të saj, të shtunën më datën 28 nëntor, nga shumë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Parma dhe provinca, nga miq italianë si edhe nga gazetarë të shtypit dhe të medias lokale. Në këtë ekspozitë ka spikatur harmonia e ngjyrave dhe thellësia fotografike e ambienteve ku mjeshtri dhe profesionisti, fotografi Edoardo Fornaciari ka përjetuar në atë udhëtim të mrekullueshëm në disa qytete të Shqipërisë dhe sidomos në bregdetin jugor të saj. Larmia tematike është udhërrëfyese e një kulture të mirëfilltë ballkanase që po stabilizon hyrjen e saj në Evropë. Me të vërtetë kjo ekspozitë është një tablo e bukur ku publikohet një sintoni jetike e popullit tonë e gërshetuar me sfondin e natyrës së mrekullueshme që i bën refren idesë se turizmi në Shqipëri nuk është aspak i papërgatitur për të kënaqur mysafirët nga e gjithë bota. Kështu u shpreh dhe vetë fotografi në një intervistë të shkurtër që i drejtoi medias e cila ishte e pranishme në inaugurimin e ekspozitës. Në të njëjtin mjedis, në sallën e konferencave,u zhvillua përkushtimi i mendimit letrar dhe paraqitja e eksperiencës artistike poetike nëpërmjet dy përfaqësuesve të letërsisë, asaj kosovare ku na nderoi me prezencën e tij, poeti Sali Beqiraj dhe asaj shqiptare nëpërmjet poetes Irma Kurti e cila ka emigruar prej kohësh dhe aktualisht ndodhet në Bergamo. Emocionuese ishte pasqyrimi i bukur që i bënë të dy poetët poezisë dhe sidomos mendimi i tyre rreth ballafaqimit real të veprës artistike në përgjithësi ku u komentuan në veçanti shumë aspekte kyçe. Gjatë javës kulturore ishin të pranishëm rreth 200 persona nga familje emigrante shqiptare si dhe kryebashkiaku i qytetit të Parmës, Pietro Vignali bashkë me shumë përfaqësues të tjerë të administratës komunale të qytetit. Gjatë saj u prezantua edhe modeli e puna që po bën trupi docent i shkollës shqipe e cila është e para në Itali dhe ka të regjistruar 25 fëmijë, ku ushtrojnë pedagogjinë e mësimdhënies 4 mësuese shqiptare. Ndërkaq, java kulturore vazhdon deri të dielën e ardhshme ku mbaron dhe kurorëzohet me një tjetër takim letrar, ai i promovimit të librit “Trëndafili i bardhë” i shkruar nga gazetarja Violeta Gjoka, ku violinistja Enxhi Nini do t’i transmetoi atmosferë lirike, nëpërmjet talentit që ka, faqeve të librit të shkruara nga nëna e saj.

Maratona e Fotografisë në Shkup, 12 fotografë shpalosin talentin
Edhe këtë vit, në kuadër të Ditëve të Kulturës shqiptare në Maqedoni u mbajt Maratona e Fotografisë. Në këtë maratonë, e cila ishte në edicionin e saj të katërt morën pjesë 12 fotografë nga rajoni. Ideja e kësaj maratone ishte që të mblidhen një grup fotografësh nga rajoni dhe të punojnë së bashku me qëllim që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre në fushën e fotografisë. Ata realizuan këtë maratonë me dy tema. Tema e parë ishte “Rebelimi”, me të cilën çdonjëri prej tyre në mënyrën e vet të paraqesë rebelimin e brendshëm, të cilin pothuajse e posedon çdonjëri prej nesh. Sipas fotografëve, kjo temë ishte e vështirë për t’u realizuar në kohë kaq të shkurtër, por gjithsesi u vu re prania e fotografive të suksesshme, në të cilat shihej disharmonia e brendshme e autorit, njëherësh edhe rebelimi ndoshta i padukshëm, por prezent. Tema e dytë ishte "Në harmoni me të kaftën", temë, e cila kishte për qëllim që të gjitha gjërat përreth të vendoseshin në një mënyrë në harmoni me ngjyrat e vjeshtës, të cilat janë kudo prezent. Pas grumbullimit të fotografive u bë prezantimi i një pjese më të madhe të tyre përmes video projektimit, ku ishin prezent të gjithë pjesëmarrësit, organizatorët dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve. Pastaj u diskutua në një tryezë të rrumbullakët për fotografinë në përgjithësi si dhe për maratonën si ide që po zhvillohet katër vite me radhë në qytetin e Shkupit, duke hedhur idenë e lëvizjes së saj edhe nëpër qytetet e tjera të rajonit. Maratonën e fotografisë e udhëhoqi fotografi Osman Demiri, i cili u shpreh mes të tjerash se “Mendoj se ideja e kësaj maratone u realizua në përgjithësi, dhe se me selektimin e fotografive në një rreth më të ngushtë, do të shihet më qartë se sa ka qene e suksesshme ajo, por mbi të gjitha suksesi mbetet në vazhdimësinë e saj dhe pjesëmarrjen gjithnjë e në rritje”. Pas hapjes së ekspozitës me fotografitë e maratonës, të gjitha fotografitë qe do të shiten, do t’i dhurohen Qendrës Ditore për fëmijë me aftësi të kufizuara në Gostivar.

Përkujtohet 100 vjetori i poetit grek Janis Ricos
Në ditët e para të dhjetorit në Tiranë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh artistike për të përkujtuar 100 vjetorin e lindjes së poetit të njohur grek Janis Ricos. Mbrëm në ora 18:00, në ambientet e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë, u zhvilluan disa veprimtari në përkujtim të Ricos si poet. Në këtë aktivitet janë mbajtur referate për lirikën, poezinë dhe atdheun e Ricos, si dhe është luajtur muzikë nga Miki Theodhorakis, e cila është e frymëzuar nga 18 këngë popullore greke dyvargësh. Ndërsa sot në ora 18:00, në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, Ricos do të përkujtohet përmes figurës - variant optiko-akustik i veprës figurative të poetit. Ndërsa në orën 19:00 po sot mbasdite, në Galerinë e Akademisë së Arteve, do të hapet një ekspozitë pikture e titulluar “Dritë nën hijen e diellit” me vepra të studentëve të Fakultetit të Pikturës. Në datën 4 dhjetor, ora 19:00, në Teatrin e Operës dhe Baletit, do të jepet një koncert i titulluar “Epitaf”, i cili përkujton Ricos përmes muzikës. Solisti grek Vassia Zacharopoulou i shoqëruar nga Kori dhe Orkestra Simfonike e TOB do të interpretojë një cikël këngësh greke, të cilat janë kompozuar mbi motivet e vargjeve “Epitaf” të shkruara nga poeti në 1936. Këto aktivitete organizohen nga Ambasada Greke dhe Fondacioni Grek i Kulturës në Tiranë. Hyrja është e lirë.

3 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›