E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervin Skela në provë te Bajer Leverkuseni

 

Jetmir Halilaj

Bajer Leverkusni ka qenë një nga ëndrrat e kahershme të Ervin Skelës, por fati e ndihmoi që ai tani të jetë shumë afër kalimit te kjo skuadër. Fantazisti i Kombëtares shqiptare ndodhet prej dy ditësh me këtë ekip dhe dje ka kryer dy seanca stërvitore. Ervin Skela mësohet se është zyrtarisht në bisedime me këtë skuadër, pasi kanë qenë vetë drejtuesit e klubit gjerman që kanë shfaqur interes për të. Fantazisti ka pranuar menjëherë të hyjë në bisedime dhe gjatë dy ditëve të fundit, ai ka nisur stërvitjen me ekipin.
Heikes
Trajneri i skuadrës së Bajerit, Jup Heikes ka miratuar mundësinë e kalimit të shqiptarit në ekipin e tij, në rast se gjithçka do të shkojë mirë. Ish-trajneri i Bajernit të Mynihut sezonin e shkuar është në kërkim të dy mesfushorëve organizatorë dhe njëri prej tyre mund të jetë Ervin Skela sezonin e ardhshëm. Vetë futbollisti i Kombëtares shqiptare nuk ka dashur të prononcohet në lidhje me mundësinë e transferimit te Leverkuseni, por burime pranë tij bëjnë të ditur se fillimi ka qenë i mirë. Gjithsesi, bisedimet sapo kanë nisur dhe lojtari nuk ka dashur të japë detaje rreth bisedave që janë zhvilluar deri tani.
E kaluara
Gjatë sezonit 2003-2004, kur Skela luante me Eintraht Frankfurtin dhe po kalonte momente të shkëlqyera me këtë skuadër, mori një ofertë shumë të mirë nga Bajer Leverkuseni, që asokohe drejtohej nga i njohuri Rudi Fëler. Fillimisht gjithçka shkoi mirë, por në fund u prish gjithçka, pasi klubi nuk i plotësoi të gjitha kërkesat financiare Eintrahtit për Skelën. Fantazisti e pohon se moskalimi te Bajer Leverkuseni është një nga pengjet e tij në karrierë. Gjithsesi ai tani ka sërish një mundësi që të mund të veshë fanellën e kësaj skuadre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›