E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shultz: Respektojmë LSI për koalicionin me PD

 

Në prag të nisjes së negociatave me Partinë Demokratike për formimin e qeverisë së re, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, merr mbështetjen e socialistëve evropianë për bashkëpunimin me të djathtën. Qëndrimin e të majtës evropiane e bëri të ditur dje presidenti i grupit socialist në Parlamentin Evropian, Martin Schultz. Gjatë një takimi mes kreut të së majtës evropiane dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, u diskutua për zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe vendimin e LSI-së për të bashkëpunuar me PD-në në qeverisjen e vendit. “Meta e njohu drejtuesin e lartë të socialistëve evropianë me zhvillimet politike në Shqipëri dhe, veçanërisht për shkaqet që çuan në rezultatin zgjedhor. Ai gjithashtu parashtroi arsyet në themel të vendimit për koalicionin e ri qeverisës midis LSI dhe PD”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Ne respektojmë plotësisht vendimin e LSI-së për koalicionin”, u shpreh Schultz në takimin me Metën. “Do të bashkëpunojmë me qeverinë e re, ku jemi të bindur se LSI do të japë një kontribut të veçantë në realizimin e reformave dhe në integrimin evropian të Shqipërisë. Në këtë funksion ne do të forcojmë bashkëpunimin me LSI dhe do ta mbështesim në realizimin e objektivave të saj politike”, theksoi më tej Shultz. Presidenti i grupit socialist në Parlamentin Evropian ftoi kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, për një vizitë në Bruksel në muajin shtator për t’u takuar me autoritetet e larta të BE-së dhe me përfaqësuesit më të lartë të së majtës evropiane. Koalicionin PD-LSI e përshëndeti pak ditë më parë edhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. “Kryeministri turk e përgëzoi veçanërisht Kryeministrin Berisha për realizimin e koalicionit të ri qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u shprehur se ky koalicion është një koalicion premtues për vendin. Kryeministri Erdogan e siguroi Kryeministrin Berisha se ai dhe qeveria që kryeson do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e re të kryesuar prej tij”, bëri të ditur zyra e shtypit e Kryeministrit Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›