Linja e furgonëve, vritet i riu
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Vritet për konkurrencën në linjën e furgonëve 19-vjeçari. Angjelin Ndocaj, nga fshati Kalivaç i Lezhës, u qëllua me armë zjarri në derën e shtëpisë, pas një prite që i bënë babë e bir. Sipas policisë së Lezhës, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme ka si autorë Martin e N.Çunin, 42 e 17 vjeç, nga fshati fqinj, Kashnjet, të cilët u arrestuan pak kohë pas krimit.
Nga hetimet e para të policisë rezulton se Angjelini është thirrur rreth orës 19:00 nga i biri i Martin Çunit. Ai ka njohur djalin që jetonte shumë pranë fshatit të tij. Vetëm pak ditë më parë, i riu ishte konfrontuar me Martinin, por duket se ka menduar që po e thërriste për t’u sqaruar. Sapo ka dalë jashtë shtëpisë, ndaj tij është qëlluar disa herë me pistoletë, duke gjetur vdekjen në portën e shtëpisë. Autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke lënë të riun e përgjakur e pa asnjë shenjë jete. Policia e njoftuar për krimin ka shkuar në vend, duke bërë identifikimin e dy personave të dyshuar. Rreth 30 minuta më vonë, babë e bir u kapën në dalje të fshatit, bashkë me armën e vrasjes në duar. Menjëherë kanë nisur hetimet për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga marrja në pyetje e personave që kishin lidhje me viktimën ka rezultuar se shkak është bërë konkurrenca mes Çunit dhe Angjelin Ndocajt. Ky i fundit, pak muaj më parë kishte marrë një furgon, me të cilin punonte si shofer, për të kryer transportin e udhëtarëve nga Kalivaçi në Lezhë dhe anasjellas, linjë të cilën e kishte bërë dhe vazhdonte ta bënte edhe aktualisht Martin Çuni. Duke pretenduar se i kishte ikur klientela, pasi 19-vjeçari kishte makinën në kushte më të mira, Martin Çuni kishte shfaqur xhelozi. Gjithmonë nga hetimet e para pohohet se Çuni i kishte kërkuar Angjelinit të mos kryente transport udhëtarësh në këtë linjë, pasi sipas tij ishte ai që kishte nisur i pari transportin e pasagjerëve. I riu i ishte përgjigjur se për këtë punë e kishte blerë furgonin, për të mbajtur familjen me bukë. Kërcënimi i Çunit kishte qenë në masën ekstreme, duke u shprehur se nëse ai do vazhdonte të kryente këtë linjë transporti, ai do ta vriste. I riu nuk e kishte marrë seriozisht këtë kërcënim, madje ai ka dalë i qetë kur e ka thirrur në derë djali i konkurrentit të tij. Nga burime të policisë pohohet se babë e bir po merren në pyetje, ndonëse fillimisht nuk e kanë pranuar krimin.