Tetë muaj pa paga, braktisin punën në uzinë
KURBIN – Prej dy javësh, punonjësit e uzinës së superfosfatit kanë bojkotuar punën. Ata kanë tetë muaj pa marrë pagat e tyre, ndaj që më 1 nëntor ata i vunë drynin uzinës. Njëri nga punëtorët, Fatmir Jahja u shpreh se: “Jemi të detyruar të lemë punën, pasi kemi tetë muaj pa marrë pagat. Kemi ngritur shqetësimin tonë, por askush nuk na ka dhënë zgjidhje. Fëmijët tanë presin ushqim nga ne”. Të njëjtin fakt pohoi edhe punonjësi tjetër, Tom Lleshi. Përveç rrogave të pa marra, ai theksoi edhe abuzime të tjera ndaj tyre. “Që nga viti 2000 nuk njohim ngritje page, as leje zakoni dhe as shpërblime për festat. Marrim vetë, një pagë prej 16 mijë lekësh, por edhe këto na kanë munguar prej tetë muajsh”, u shpreh ai. Ndërsa drejtori i kësaj uzine, Isuf Myrtaj pohoi se punëtorët nuk kanë pranuar të marrin në dorëzim punë. Sipas tij, për këtë shkak është vënë në dijeni Ministria e Energjetikës, por deri më tani askush nuk ka kthyer përgjigje. “Punëtorët nuk pranojnë të punojnë në uzinë për shkak të rrogave. Bëhet fjalë për një fond prej 23 milionë lekë të vjetra në vit”, u shpreh Myrtaj. Që nga viti 2003 kjo uzinë nuk është në gjendje normale pune, pasi firma kontraktuale franceze “Evertrade”, u largua pas vënies në punë me kapacitet të plotë të saj. Largimi i saj ndodhi për shkak se qeveria nuk pranoi uljen e energjisë elektrike nga 12 lekë këh në 9 lekë, siç trajtohen uzinat që harxhojnë me shumicë energji. r.n