Gripi i derrave, dyshohet emigranti nga Shqipëria
Një emigrant nga Shqipëria dyshohet të jetë prekur nga gripi i derrave në Greqi. Ministria e Shëndetësisë e shtetit fqinj nuk ka konfirmuar akoma rastin por shton se emigranti është në listën e të dyshuarve. “Një adoleshent nga Shqipëria, 16-vjeç, ka paraqitur shenja të gripit të derrit, por do të flasim me siguri vetëm pasi të kemi marrë përgjigjen e ekzaminimeve”, thanë burime nga ministria greke. Kështu numri i të infektuarve në këtë shtet nga virusi i rrezikshëm arrin në 116. Ndërkohë që harta e vendeve të rajonit, të cilat janë prekur nga gripi i derrave është ngushtuar, ne mbetemi ende të “pastër”. Situata ka alarmuar strukturat e shëndetësisë, pasi kjo është periudha e kthimit të emigrantëve në vend dhe virusi mund të importohet fare kollaj. Ministria e ka pohuar se kontrollet janë shtuar e deri tani nuk ka raste të dyshuarish. Nga ana e tyre, vetë emigrantët që janë kthyer ditët e fundit, kanë mohuar kontrollet e imtësishme nga mjekët në aeroport e pika doganore. Gripi H1N1 dyshohet të ketë mbërritur edhe në Maqedoni. Një fëmijë katër vjeçar është shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup, për shkak të simptomave të ngjashme me ato të gripit të derrave. Katër vjeçari ka mbërritur në Shkup nga Australia, duke kaluar nëpërmjet Londrës. Drejtoresha e Urgjencave Infektive në Ministrinë e Shëndetësisë, Jovanka Kostovska, u shpreh se fëmija është shtruar në spital së bashku me nënën e tij, pasi prej disa ditësh ka shfaqur temperaturë, kollë dhe teshtitje. Kostovska u shpreh se të gjitha rastet që vijnë nga vendet e huaja, e që shfaqin simptoma të ngjashme me ato të gripit H1N1, kontrollohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Ka filluar bërja e analizave në laboratorët e specializuar, për të konstatuar nëse fëmija është bartës i këtij virusi. Po dje Kroacia konfirmoi rastin e parë më gripin e derrave. Lajmi u bë me dije nga Ministri i Shëndetësisë, Darko Milinoviç, i cili tha se prania e virusit u konfirmua pas 4 analizash të ndryshme laboratorike dhe bëhet fjalë për një person që sapo ishte kthyer nga Australia.
Mediat vendase shkruajnë se personi i infektuar është një grua me origjinë australiane rreth të 60-tave.
c