E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet çmimi i karburanteve në vend

 

Shtrenjtohet çmimi i karburanteve në vend. Shkak për këtë, sipas importuesve, është ndryshimi i çmimit të arit në zi në bursat ndërkombëtare. Si gjithmonë, rritja e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar menjëherë edhe në tregun vendas. Vetëm një muaj më parë çmimet e karburanteve u rritën me 5 lekë për litër. Ndërkohë dje është vënë re një rritje e re e çmimit të karburanteve. Një litër benzinë dje shitej me 133 lekë, një litër naftë eurodiezel e cilësisë së ulët shitej me 130 lekë, ndërsa eurodiezeli i cilësisë së lartë tregtohej me 132 lekë. Sipas importuesve të karburanteve në vend, shkak për këtë rritje të re çmimesh është shtrenjtimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare. Në bursat ndërkombëtare, një fuçi naftë kuptohet me 66 dollarë, nga 59 dollarë që shitej pak ditë më parë. Sipas importuesve, kjo rritje çmimi ka ndikuar në shtrenjtimin e karburanteve në vend. Kjo pasi sipas tyre, për sa i përket çmimit të karburanteve në vend, vetëm 7 për qind të çmimit e ka në dorë tregtari, ndërsa 93 për qind e çmimit reflektohet nga zhvillimet në tregun e jashtëm. Për vetë konjukturën që ka tregu vendas, është mjaft i ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, kjo pasi gati 90 për qind e nevojave të vendit për konsum plotësohet nga importi. Por lëvizjet e çmimit të arit në zi në bursat ndërkombëtare reflektohen në tregun vendas vetëm në rastet kur çmimi i karburanteve pëson rritje, pasi në rastet kur çmimi i karburanteve në bursa ulet, kjo rënie nuk reflektohet në tregun vendas. Në fakt jo pak herë ekspertët e ekonomisë kanë ngritur zërin për deformimet që ekzistojnë në këtë treg, si për çmimin e karburanteve, ashtu edhe për sa i përket konkurrencës së pandershme. Pikërisht për këtë arsye, pak kohë më parë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se do të hapin një hetim të përgjithshëm në sektorin e energjisë. Aktualisht, në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por, kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet. Dy janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës në vend. I pari është faktori ndërkombëtar, pra rritja e kuotimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare, dhe faktori i dytë është niveli i akcizës dhe taksat e tjera, që duhet të paguajnë importuesit e karburanteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›