E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje me makina në mes të Lezhës, plagosen dy persona

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Një konflikt mes dy të rinjve në qytetin e Lezhës është bërë shkak i një spektakli ndjekjesh dhe përplasje makinash në qendër të qytetit të Lezhës. Dy kalimtarë të rastësishëm u plagosën prej makinave të përfshira në këtë ngjarje pasditen e djeshme. Qytetarë të shumtë kanë parë mjetet që lëviznin me shpejtësi dhe që herë pas here përplaseshin në mes tyre, duke iu drejtuar qendrës së qytetit. Automjeti tip BMV që drejtohej nga Edison Kipi, 20 vjeç nga Lezha ndiqej në mënyrë të vazhdueshme nga nga një tjetër automjet tip "Ford Eskort" me targa të huaja. Për t'iu shmangur përplasjeve dhe një atentati të mundshëm, 20-vjeçari Kipi ka devijuar në shëtitoren kryesore të qytetit duke tentuar të hyjë në një rrugë dytësore. Kjo manovër ka qenë fatale për dy të rinj që shëtisnin në trotuar të cilët janë marrë para nga automjeti tip BMV. Ata pësuan plagë të rënda dhe janë dërguar menjëherë në spitalin ushtarak të Tiranës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie. Të rinjtë që udhëtonin me mjetin tjetër, pasi kanë parë atë çfarë ndodhi dhe duke pasur frikën e arrestimit nga forcat e policisë janë larguar nga vendngjarja. Policia arriti të bënte identifikimin e tyre dhe të zbardhte shkakun e kësaj aventure me pasoja. Nga të dhënat e para rezulton se mes Kipit dhe dy personave të tjerë kishte pasur një grindje të hershme. Ditën e djeshme ata janë hasur sërish në qytetin e Durrësit. Prej andej mësohet se ka nisur dhe ndjekja e të riut, për të përfunduar në qytetin e Lezhës. Kipi ka konstatuar se po ndiqej në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk ka hezituar të shtojë shpejtësinë e makinës së tij. Për t'iu shmangur ndjekësve të tij ai është futur në një rrugë dytësore që të drejton drejt qendrës së qytetit, moment kur edhe është intensifikuar goditja e tij nga ndjekësit. Ata kanë mundur ta arrijnë Edison Kipin duke tentuar përplasjen dhe ndalimin e tij. Kipi ka mundur të devijojë në mënyrë të vazhdueshme ndonëse për gati 4 kilometra ai është goditur disa herë nga pas nga të rinjtë që udhëtonin me automjetin tip Ford. Ndjekja dhe përplasje në mes të dy automjeteve i është drejtuar sheshit të qytetit, i cili shfrytëzohet për xhiron e pasdites nga qytetarët lezhianë.
Aksidenti ka qenë tepër i rëndë për të rinjtë, njëri prej të cilëve ka pësuar dëmtime të mëdha dhe është transportuar nga makinat e rastit në drejtim të spitalit Ushtarak të Tiranës. Policia po punon për kapjen e autorëve dhe të zbardhë shkaqet e konfliktit mes tyre, pasi ka shoqëruar dhe 20-vjeçarin Kipi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›