E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gripi i derrave, hyrja e virusit në Shqipëri është e sigurt”

 

zirina llambro

“Hyrja e virusit të gripit të derrave në Shqipëri është e sigurt”. Këtë deklaratë bëri dje Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Sipas tij, ndonëse nuk është konfirmuar ende asnjë rast, vendi ynë nuk mund t’i shpëtojë virusit. “Përpjekjet tona janë përqendruar në kapjen e rasteve sa me parë dhe parandalimin e komplikacioneve”, u shpreh Ylli. Kreu i ISHP-së shtoi se në të gjitha pikat kufitare janë ngritur struktura të posaçme për të identifikuar të prekurit e mundshëm, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit A H1N1. Madje inspektorët paguhen me orë shtesë, me qëllim që ky shërbim të ofrohet 24 orë. Sipas Alban Yllit, ndonëse shërbimet shëndetësore nëpër pikat kufitare mund të neglizhojnë deri diku, duhet të jetë në ndërgjegjen e qytetarëve për të njoftuar për çdo dyshim që kanë. Këto deklarata të krerëve të shëndetësisë vijnë në një kohë kur thuajse i gjithë rajoni ka konfirmuar praninë e gripit të derrave. Kroacia, Serbia, Maqedonia e Greqia, tashmë i janë shtuar hartës së vendeve të “goditura” nga virusi.
Emigrantët e infektuar
Paniku më i madh është në Greqi, ku mes qindra të infektuarve këtë javë ka rezultuar se janë prekur edhe 3 shqiptarë. Me gjithë masat e marra, duket se gjendja po ikën nga kontrolli dhe kjo ka vënë në lëvizje organet greke të shëndetësisë, që vlerësojnë se ndoshta ka shumë pacientë të infektuar të cilët kalojnë gripin me simptoma të lehta dhe nuk kërkojnë ndihmë pranë qendrave spitalore, por bëhen burim infeksioni për dhjetëra të tjerë dhe si rezultat, shtohet numri i rasteve me virusin H1N1. Madje krerët e shëndetësisë greke kanë pohuar se shtimi me ritme të shpejta i rasteve nga dita në ditë, ka bërë që Greqia të ndodhet përpara një situate pandemike. Mëngjesin e djeshëm, laboratori i Greqisë së jugut ka deklaruar 22 raste të reja dhe numri i përgjithshëm i pacientëve me gripin A ka shkuar në 187, prej të cilëve 87 janë shëruar plotësisht. Shumica e personave të prekur janë turistë të huaj që vizitojnë Greqinë, por midis tyre janë edhe dy shtetas shqiptarë. Sipas listës që publikon Ministria greke e Shëndetësisë, bëhet fjalë për një grua 36 vjeçe dhe një djalë 17 vjeç, të cilët ende nuk dihet se si e kanë marrë virusin. Kështu numri i shtetasve shqiptarë të infektuar me virusin H1N1 ka shkuar në tre brenda vetëm një jave. Për të gjithë ata persona që kanë simptoma të gripit të zakonshëm rekomandohen vizita te mjekët. Rastet e dyshuara duhet të  raportohen pranë Institutit të Shëndetit Publik. Bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qytetarët udhëzohen të zbatojnë rregullat e higjienës. ”Në këtë situatë ruajtja e një higjiene personale brenda normave është gjëja më e rëndësishme”, shprehen specialistët e Institutit. Kjo është vetëm vala e parë e goditjes së botës nga gripi i derrave, në shtator kur nis dhe sezoni i virozave gripale, pritet një tjetër shpërthim i virusit të rrezikshëm. Në këtë konkluzion kanë arritur ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Gripi i derrave

Simptomat

Temperatura: Rritet shpejt duke kaluar të 38 gradët

Frymëmarrja: Të kollitur, teshtima, ftohje dhe vështirësi në frymëmarrje, janë shenja që manifestohen në shumicën e rasteve

Sytë: Skuqje e syve është një nga simptomat kryesore të gripit të derrave

Kockat dhe muskujt: Dhimbje kockash, muskujsh dhe ndjesi dobësie e këputje

Barku: Mungesë oreksi, të vjella dhe diarre janë të tjera simptoma

Kurat

Medikamente antiviralë: Dy tipa medikamentesh (Tamiflu dhe Relenza), janë efikase në mposhtjen e gripit të derrave.

Vaksinat: Virusi është i izoluar dhe është e mundur që brenda një harku të shkurtër kohor, brenda disa muajsh të prodhohet një vaksinë, pasi deri tani nuk ka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›