E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontroll firmave të rrugëve:Të punojnë natën

 

Qeveria ka vendosur që të ngrejë një Task Forcë, e cila do të kontrollojë nëse kompanitë e ndërtimit e zbatojnë apo jo vendimin e marrë më parë nga qeveria. Bëhet fjalë për vendimin, i cili iu përcakton kompanive të ndërtimit të rrugëve që të punojnë me tre turne, në mënyrë që këto vepra publike të përfundojnë në një afat të shkurtër kohor. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Punëve Publike ngritjen e një Task Force, për ndjekjen dhe zbatimin me përpikëri të vendimit që përcakton punën me tre turne të firmave ndërtuese, të angazhuara në vepra publike. Duke vlerësuar shumë të rëndësishëm faktorin kohë, kryeministri tha se do të ndërmerren masa ligjore të parashikuara në ligj, për ata që nuk e zbatojnë këtë vendim. “Zoti ministër i Punëve Publike, konstatohet se një seri firmash nuk punojnë turni i tretë. Kërkoj ngritjen e një Task Force nën drejtimin tuaj personal dhe zbatimin me rigorozitetin më të madh të ligjit. Koha është më e çmuara për ne”, tha ai. Sipas kryeministrit, kompanitë në momentin që fitojnë tenderat tregohen të gatshme që do të respektojnë vendimin e qeverisë për të punuar me tre turne. Madje për ata që nuk zbatojnë këtë vendim do të merren edha masa ndëshkuese. “Natyrisht ky vendim nuk mund të zbatohet në çdo kohë klimaterike, por tani e deri në tetor, ai që nuk e zbaton këtë vendim duhet të ndëshkohet në përputhje me ligjin. Ndëshkimet janë të mjaftueshme, por po të jetë e nevojshme do t’i shtojmë. Çdo kompani duhet ta ketë të qartë se për ne koha ka çmimin më të lartë”, ka deklaruar dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kreu i qeverisë, Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›