E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, FMN: Rritja ekonomike për Shqipërinë vetëm 0.4 për qind

 

Rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 0.4 për qind. Sipas raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të quajtur “Parashikimi mbi ecurinë e ekonomisë globale”, në vitin 2009 ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 0.4 për qind. Sipas analizës së FMN-së, rimëkëmbja e cila do të fillojë që nga viti 2010, duket se do të jetë e ngadaltë, madje në rastin e Shqipërisë edhe më e ngadaltë se mesatarja e ekonomisë botërore. Sipas raportit, vitin e ardhshëm ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 2 për qind, ose 0.5 pikë përqindje më pak se norma mesatare e rritjes për ekonominë botërore. Ekspertët e FMN-së kanë vlerësuar se ekonomia shqiptare do t’i rikthehet ritmeve të larta të rritjes vetëm pas 5 viteve, më saktësisht në vitin 2014, kur rritja ekonomike pritet të arrijë serish nivelit 6 për qind, që ka qenë mesatarja e viteve të fundit. Në raportin e FMN-së thuhet se ekonomia botërore ka nisur të dalë nga kriza. FMN thotë se ekonomia po përmirësohet me shpejt nga parashikimet dhe se rritja ekonomike përgjatë vitit 2009 dhe atij 2010 do të jetë 0.5 pikë përqindje më e lartë se sa ishte vlerësuar deri më tani. FMN ka theksuar se në vitin 2009 bota do të ketë një rënie ekonomike prej 1.4 për qind, ndërsa në vitin 2010 do të rikthehet sërish rritja ekonomike, e cila në nivel botëror vlerësohet se do të jetë 2.5 për qind. Në këtë raport, fondi monetar ndërkombëtar ka marrë në analizë të gjitha ekonomitë e botës. Ndërkohë sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend inflacioni në muajin qershor ishte 2.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 4.0 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›