Gripi i derrave, shtohet kontrolli në pikat doganore
Zirina Llambro
Masa të forta në pikat kufitare për të parandaluar hyrjen e virusit. Por tani për tani jemi të gjithë të sigurt nga gripi i derrave. Ministria e Shëndetësisë pas një mbledhjeje urgjente deklaroi dje se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me sëmundjen e rrezikshme. Pas alarmit në gjithë botën për shkak të epidemisë, që ka shpërthyer në Meksikë autoritetet kanë shtuar vigjilencën. “Në vendin tonë nuk ka asnjë rast të dyshuar me të ashtuquajturin infeksioni i virusit të derrit. Nuk ka vend për panik apo ndryshim të sjelljeve tona të përditshme”, tha zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj në një konferencë për shtyp. Ai shtoi se kontrolli i rrjetit të Inspektoratit Sanitar në pikat e kalimit kufitar ka kontakte ditore me të gjithë rrjetin sanitar botëror dhe merr çdo ditë informacione të detajuara. Thirrje për rritjen e masave të higjienës me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit të derrave (A-H1N1) bëri dje edhe instituti i shëndetit publik. Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, sqaroi se sëmundja është një kombinim i gripit të derrit, shpendëve dhe njeriut. Ajo shtoi se nuk ka vaksinë për parandalimin e tij. “Virusi, i cili e shkakton atë përmban komponentë të virusit të gripit të derrit, gripit të shpendëve dhe gripit të njerëzve. Pavarësisht se quhet gripi i derrit kemi të bëjmë me një virus të ri, i cili nuk është identifikuar më parë deri tani. Ky nuk ka lidhje fare me konsumin e mishit të derrit. Kur themi se kemi të bëjmë me grip kemi të bëjmë me përhapje të rrugëve respiratore dhe nëpërmjet kontaktit. Simptomat janë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm”, tha Bino. Sakaq, Ministria e Bujqësisë ka rikonfirmuar se në të gjitha pikat kufitare është dërguar urdhri për ndalimin e importit nga Meksika. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Organizatën Botërore të Kafshëve për direktivat e mëtejshme në lidhje me masat që do të marrim”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë Rexhep Shahu.
Sëmundja
Çfarë është gripi i derrave?
Gripi i derrave është një problem frymëmarrjeje tipik, që shfaqet tek derrat dhe që shkaktohet nga një virus i veçantë gripi i tipit A. Mundësia për t’u infektuar është më e madhe tek njerëzit që janë në kontakt direkt me këto kafshë, por pas të prekurit të parë kjo sëmundje fillon të përhapet me shpejtësi nga një person tek tjetri.
Cilat janë simptomat e sëmundjes?
Simptomat e këtij gripi tek njerëzit janë të ngjashme me simptomat e një gripi normal, temperaturë, kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje. Shumë nga personat e prekur nga sëmundja kanë pasur edhe diarre dhe të vjella të vazhdueshme.
Si prekesh nga virusi i gripit të derrave?
Mënyrat e transmetimit të këtij gripi janë dy: ose përmes kontaktit me kafshët, që bartin virusin ose përmes kontaktit me personat e sëmurë. Personat e prekur nga sëmundja konsiderohen të infektuar përgjatë gjithë kohës që janë me këtë grip dhe deri në 7 ditë pas shërimit total nga simptomat. Ndërkaq, fëmijët mund të qëndrojnë të prekur nga ky virus edhe për një kohë më të gjatë.
Është e rrezikshme të hash mish derri?
Jo. Asnjë produkt derri nuk është i rrezikshëm të konsumohet. Në këtë fazë të epidemisë infektimi nuk vjen më nga derrat, por transmetohet nga një person i infektuar tek një tjetër. Kalimi i virusit nga derri te njeriu është vetëm hallka e parë e marrjes së sëmundjes. Kjo është kaluar tashmë. Ndërkohë, shndërrimi që ka pësuar virusi, pasi është futur në organizmin e njeriut dhe infektimi prej tij është risku kryesor.
Në nënproduktet që merren nga derrat a mbeten gjurmë të virusit?
Jo. Viruset e gripit janë shumë të dobët dhe mbijetojnë vetëm disa dhjetëra minuta jashtë organizmit. Ndryshe nga gripi i shpendëve kur çdo infektim i njerëzve vinte pas kontaktit me një shpend të sëmurë gripi i derrave tashmë e ka përmbyllur kalimin nga kafshët te njeriu dhe është bërë sëmundje e brendshme që kalon nga njeriu te njeriu.
Kurimi
Ekzistojnë ilaçe kuruese për personat, që sëmuren nga gripi i derrave?
Po ka antiviralë të posaçëm që janë efikasë për të luftuar sëmundjen kur ajo kapet në kohë. Por ato merren vetëm kur i rekomandon mjekut.
Nëse marrim medikamentet e duhura jemi të mbrojtur nga pandemia?
Ilaçet që përdoren sot në tregun evropian janë efikase. Prandaj risku për një pandemi në botë mbetet i ulët
Pse kaq shumë viktima në Meksikë?
Çdo formë gripi edhe ajo që godet normalisht në stinën e dimrit ka viktimat e saj. Për të bërë një krahasim mes viktimave të gripit normal dhe atyre nga gripi i derrave duhet numri i saktë i të infektuarve në Meksikë, i cili ende nuk dihet me siguri. Por përveç viktimave nga informacionet që vijnë nga SHBA bëhet me dije se autoritetet shëndetësore po kurojnë me sukses pjesën më të madhe të të sëmurëve.
Përveç medikamenteve antivirale që merren nga të sëmurët në fazën kur janë të infektuar nga virusi a ka vaksinë kundër gripit të derrave.
Jo nuk ka akoma vaksinë kundër gripit të derrave. Por tanimë që virusi është izoluar ajo mund të prodhohet. Prodhimi i vaksinës do të bëhet domosdoshmëri në momentin, kur gripi i derrave të kërcënojë seriozisht botën me pandemi. Për momentin autoritetet e OBSH nuk e kanë kategorizuar akoma të tillë.
Si të shmangim kontaktet me personat e sëmurë?
Njësoj si për çdo lloj tjetër gripi. Mos puthni persona të sëmurë, shmangni afërsinë me ta. Lani duart nëse mendoni se keni prekur sende, që mund të jenë të infektuara nga personi i sëmurë, p.sh., dorezat e dyerve. Në këto të fundit virusi mund të mbijetojë edhe për një orë.
Stina e pranverës e favorizon përhapjen e epidemisë?
Virusi i gripit nuk njeh stinë sidomos nëse përhap pandemi. Por në dimër ai transmetohet me lehtë pasi kalohet me shumë kohë në ambiente të mbyllura, më pak qarkullim ajri dhe me kontakt të ngushte me persona të tjerë.