Ndërtuesit: Miratoni planet rregulluese
Fabiola Çela
Përmes një letre, dërguar Ramës dhe Berishës, ndërtuesit kanë bërë thirrje që të merren masat e duhura për të miratuar sa më parë planet rregulluese të qyteteve. Në letrën e tyre, ndërtuesit kanë renditur një sërë kërkesash ndaj kreut të qeverisë dhe atij të bashkisë.
Kërkesat
“Ka ardhur koha që bërja e planeve rregulluese në qendrat e banuara të mos shikohet më vetëm si biznes i ndërtimit apo i administratave përkatëse. Ato duhet të trajtohen me prioritet sepse kanë të bëjnë direkt me studimin dhe planifikimin e punëve publike, si investime serioze dhe jo vetëm për emergjenca elektorale. Një plan rregullues i miratuar do të thotë që të organizohet planifikimi për nevojat e furnizimit me ujë, për kanalizime, për furnizimin me energji, telefoni, rrugë etj. Këto janë probleme të jetës qytetare sot dhe që kërkojnë një impenjim njerëzor, studimor dhe planifikues më të vështirë se bërja e një rruge, qoftë kjo dhe me vlera shumë të mëdha. Për këtë arsye, Shoqata e Ndërtuesve shprehet se është e domosdoshme që të hartohen dhe miratohen sa më parë këto plane dhe të mos gjenden pretekste për zvarritjen e tyre”, thuhet në letrën dërguar kreut të qeverisë, Sali Berisha, dhe kryetarit të Bashkisë Edi Rama. Në letrën e tyre shoqata e ndërtuesve ka kërkuar që të ketë më shumë bashkëpunim mes qeverisë dhe ndërtuesve. “Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka objektiv dhe kërkon të jetë një partnere serioze e përfaqësimit të biznesit të ndërtimit në raport me administratën publike dhe në mënyrë të veçantë me Qeverinë”, thuhet në letër. Gjithashtu ata kanë kërkuar që të kryhet rishikimi i legjislacionit ekzistues në aktivitetin e ndërtimit dhe pjesëmarrës të tij. “Një pjesë e akteve ligjore duhet të rishikohen për të mos pasur mospërputhje midis ligjit, vendimeve, rregulloreve apo udhëzimeve kur bëhet fjalë për disiplinimin e një veprimtarie të caktuar”, kanë deklaruar ndërtuesit.
Kërkesat e ndërtuesve
• Aktiviteti i ndërtimit të plotësohet me legjislacion në të gjitha aspektet e tij.
• Të futet në ligj kontrolli i projektit në qëndrueshmëri dhe mbajtja e përgjegjësive për të.
• Është e domosdoshme që të hartohen dhe miratohen sa me parë këto plane rregulluese të qyteteve dhe të mos gjenden pretekste për zvarritjen e tyre.
• Të fillohet puna për hartimin e strategjive kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.
• Të eliminohet informaliteti në ndërtim.
• Të rritet partneriteti me administratën Publike
• Të rishikohet legjislacioni ekzistues në aktivitetin e ndërtimit dhe pjesëmarrës të tij.
• Të rishikohen ligjet dhe procedurat të prokurimit publik.
• Të ndryshohet Vendimi i Këshillit të Ministrave për licencimin e shoqërive të ndërtimit. Zbatimi i këtij vendimi nga MPPTT ka krijuar një konfuzion të madh.