E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, udhëtarët kontroll vetëm me pyetësor

 

zirina llambro

Në alarm, por me masa të vakta për të mos lejuar hyrjen e virusit të gripit të derrave në Shqipëri. Asnjë vizitë mjekësore apo matje të temperaturës. Të gjithë pasagjerët që mbërrijnë në vendin tonë nga SHBA apo destinacione të tjera, të prekura nga gripi i derrave, kalojnë në aeroportin e Rinasit vetëm me një pyetësor të thjeshtë. Këtë fakt e pranojnë vetë udhëtarët por edhe inspektorët sanitarë që mbulojnë portën e vetme ajrore. Nga ana tjetër, ata sqarojnë se masat janë forcuar dhe është ngritur edhe ambienti i karantinës për rastet e dyshuara. ”Në monitorim kanë qenë të gjithë pasagjerët, të cilët vijnë nga vende ku ka pasur vatra. U është bërë një pyetësor dhe deri tani konfirmojmë se nuk kemi asnjë rast të dyshuar. Nëse do të ketë të tillë do të mbahen në dhomën e izolimit dhe më pas do të dërgohen në spitalin infektiv”, u shpreh dje shefi i higjienës sanitare në aeroportin “Nënë Tereza”, Lorenz Harshova. Sipas tij, po vihet në zbatim një rregullore standarde për të gjithë ata që vijnë nga jashtë. Sa i përket pikave të tjera kufitare, mëngjesin e djeshëm kanë qenë krejtësisht të papërgatitura. Mijëra udhëtarë kanë hyrë në vend pa u kontrolluar e pyetur nga askush. Rreth mesditës situata ktheu, dhe inspektorët në bashkëpunim me forcat e policisë  filluan zbatimin e planit të masave. Kështu në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës, Kakavijës, Porti i Vlorës, Porti i Durrësit, Dogana e Morinës dhe në Qafë-Thanë, nga sa konfirmojnë korrespondentët, kanë nisur kontrollet e pasagjerëve në disa raste edhe me vizita mjekësore.
Mungesa e Tamiflusë
Një tjetër problem mbetet mungesa e medikamentit antiviral (Tamiflu). Ai nuk gjendet në asnjë farmaci. Kjo ndonëse epidemiologët ka-në rekomanduar mjekimin me këtë ilaç brenda 48 orëve nga shfaqja e simptomave të para të gripit të derrave. Nga sa pohojnë farmacistët, Tamifluja mungon që pas shfaqjes së gripit të shpendëve, rreth 3 vjet më parë. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj sqaron se ky medikament ndodhet stok në disa institucione shëndetësore dhe mund të shpërndahet sapo të dyshohet rasti i parë. “Tamifluja  është për trajtimin e të sëmurit me infeksion. Shqipëria ka aq sa për të kuruar 100 pacientë, por jemi shumë larg kësaj situate. Ilaçi është stok por ne jemi të gatshëm ta çojme atë në çdo cep të Shqipërisë brenda dy orëve”, tha Ivanaj. Ndërkaq në Ministrinë e Shëndetësisë është zhvilluar një tjetër mbledhje për planin e veprimit, ku i kërkohet të gjitha qendrave shëndetësore të jenë në gadishmëri që në çdo rast të ketë shtretër të lirë. Ky dikaster tashmë ka  lëshuar udhëzimin përkatës për masat që duhen marrë, por pritet të mbahet sot një mbledhje tjetër me të gjithë drejtorët e shëndetit publik në rrethe. Një konferencë për shtyp pritet edhe nga Autoriteti Rajonal i Tiranës, për të publikuar masat e mëtejshme që po merren.

OBSH: Virusi transmetohet mes njerëzve, një hap larg pandemikës

Organizata Botërore e Shëndetit është gati të rrisë nivelin e alarmit të epidemisë së gripit të derrave nga niveli katër në nivelin pesë të sigurisë. Kjo do të thotë se virusi është në nivelin e transmetimit nga njeriu te njeri dhe është një hap larg nivelit gjashtë, që do të thotë një pandemikë e plotë botërore. Sipas të dhënave të fundit, vaksina kundër këtij virusi (të njohur si H1N1) do të jetë e gatshme në muajin shtator. Në Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar 91 raste të kontaminimit nga virusi në 10 shtete amerikane. Presidenti Obama ka urdhëruar mbylljen e shkollave, ku kanë rezultuar fëmijë të prekur, duke e konsideruar situatën mjaft emergjente. Në SHBA pak pas mesditës është shënuar viktima e parë e virusit, një foshnjë 23 muajsh në Teksas, që është viktima e parë me jetë jashtë Meksikës. Kalifornia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Si masë kundër prekjes nga gripi, Egjipti ka vendosur të therë të gjithë derrat brenda territorit të vendit (300.000 kokë). Në Itali ka një rast të dyshimtë në Pavia, një person të kthyer së fundmi nga Meksika, por priten rezultatet e analizave. Në Britani janë konfirmuar pesë raste, ndërsa Franca ka ndaluar udhëtimet për në Meksikë. Në Portugali ka një trevjeçar të dyshuar. Ndërsa në Gjermani janë konfirmuar katër raste. Zelanda e re ka 14 raste, Spanja 4, 13 raste janë në Kanada, dy në Izrael dhe një në Austri. Pekini ka mohuar akuzat nga disa media, se virusi e ka prejardhjen nga Kina. Simptomat e virusit janë probleme të rënda me frymëmarrjen dhe dizenteri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›