Rrokaj: Krijimi i universitetit të mjekësisë, cenon ligjin
“Kthimi i Fakultetit të Mjekësisë dhe Shkencave të Natyrës në universitet më vete cenon ligjin për Arsimin e Lartë. Duhen standarde e mbi të gjitha nuk është marrë mendimi i grupeve të interesit”. Kështu ka deklaruar dje Shezai Rrokaj, një nga senatorët e UT, e ish-rektori i këtij universiteti. Reagimi vjen vetëm pak kohë pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, i cili është shprehur se qeveria do ta shndërrojë Fakultetin e Mjekësisë në universitet. Rrokaj ndërkaq pohoi se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës është diskutuar mundësia e krijimit të një universiteti të ri, në përbërje të të cilit pritet të jenë Fakulteti i Mjekësisë dhe Shkencave të Natyrës. Nga sa sqaroi Rrokaj, krijimi i një universiteti të tillë nuk është i domosdoshëm. “Që një fakultet të shndërrohet në universitet duhet të respektojë standardet e një universiteti, që do të thotë duhet të ketë jo më pak se dy fakultete, duhet të ketë jo më pak se dy departamente për çdo fakultet, duhet të ketë jo më pak se 50 për qind të stafit brenda një departamenti të kualifikuar”, tha Shezai Rrokaj. Ai nënvizoi se një shkëputje e mundshme e dy fakulteteve nga UT, do të cenonte edhe simbolin që ka Universiteti i Tiranës. “Po hiqet një pjesë e rëndësishme që i jep dinjitet UT, mbi të gjitha pa pyetur për asnjë mendim të qarqeve akademike”, tha Rrokaj.