Meta: Do përgjysmojmë TVSH në 10 % për produktet e shportës
LSI ka plan për të ulur çmimet e produkteve bazë. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri pasi vizitoi një furrë buke në Laprakë. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër me hallet dhe shqetësimet e qytetarëve, në kuadër të javës për verifikimin nga afër të kostos së jetesës së qytetarëve shqiptarë. Kreu i LSI-së bashkëbisedoi me punonjësit e furrës së bukës, si dhe me qytetarë të ndryshëm që ndodheshin për të blerë bukën në ato momente. Biseda është përqendruar kryesisht në koston e lartë të jetesës në vend, çmimet e larta dhe papunësinë. Në mënyrë simbolike, kreu i LSI-së ka punuar për disa momente bashkë me stafin dhe furrtarët në pjekjen e bukës. Kreu i LSI-së shprehu shqetësim për çmimet e larta që qytetarët blejnë këtë produkt. Meta u shpreh se buka është një produkt jetik i domosdoshëm, por për fat të keq sot në këtë kohë krize, qytetarët e kanë të vështirë që ta blejnë me çmimet aktuale, jo vetëm bukën por dhe shumë produkte të tjera të rëndësishme të shportës. Për të zbutur këtë situatë, kreu i LSI-së tha se forca e tij politike do të ndërhyjë për të zbutur këtë fenomen. “LSI-ja ka një plan për të ulur koston e jetesës, sidomos për produktet bazë, për produktet e shportës dhe një nga masat që ne do të marrim është përgjysmimi i TVSH-së për këto produkte nga 20 përqind në 10 përqind, në mënyrë që të ndihmojmë në uljen e çmimeve”, tha Meta. Kreu i LSI garantoi dhe njëherë se e gjithë politika që do të ndjekë, Lëvizja Socialiste për Integrim synon pikërisht për të mbrojtur shtresat më të varfra dhe me të ardhura më të pakta të shoqërisë nga kjo rritje të kostos të jetesës dhe njëkohësisht dhe për të ndihmuar biznese të tilla, të cilat janë jetike për koston e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Që në prezantimin e programit të saj, LSI është shprehur për një “bonus jetik”, me qëllim ulje të varfërisë përmes politikave të punësimit. “Është koha për “bonus jetik”, që është programi ynë kundër varfërisë në të gjitha drejtimet, që nga dyfishimi i ndihmës ekonomike, që nga miratimi i ligjit për moshën e tretë, që nga transporti urban dhe ndërurban dhe deri te rimbursimi i ilaçeve dhe shërbimeve të tjera”, apeloi Meta.