Parlamenti mbyllet para kohe
bledar hoti
Zgjedhjet e 28 qershorit mbyllin para kohe Parlamentin. Kur duhet më shumë se një muaj për të startuar zyrtarisht fushata elektorale, Kuvendi duket se i ka dhënë fund punimeve në komisione dhe zhvillimeve të seancave parlamentare. Për muajin maj është lënë vetëm një seancë, ajo në datën 11 maj, edhe pse ligjërisht data e fundit është 14 maji. Dje nuk ka pasur asnjë mbledhje të komisioneve parlamentare. Mungesa e deputetëve të opozitës, duket se ka ndikuar mjaft në mos realizimin e disa prej komisioneve parlamentare, pasi ka mungesa të theksuara kuouruumi. Në seancën e kaluar, më 27 prill, u krye vetëm fjala përshëndetëse e Kryeministrit grek Karamanlis dhe asnjë prej projektligjeve nuk u shqyrtua dhe nuk u miratua nga deputetët. Ndërsa në seancën e kaluar, ku u mor vendimi për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar ndaj kryebashkiakut Edi Rama, Kuvendi kishte në rendin e ditës 16 pika gjithsej, shqyrtim dhe votime projektligjesh. Edhe pse ky komision ka një mandat prej tri javësh, duket se kjo nuk do të realizohet. Komisioni, që bojkotohet nga opozita, ka zhvilluar vetëm një mbledhje dhe asnjë mbledhje tjetër. Gjithashtu në kalendarin e punimeve në seancën e 11 majit, deri më tani nuk është parashikuar as shqyrtimi i raportit të komisionit hetimor, që kryesohet nga deputeti Ferdinand Xhaferri. Pothuajse mund të cilësohet si i “shkrirë” edhe komisioni i posaçëm, ad-hoc, për kartat e identitetit dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pasi prej më se tre javësh nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje. Vetë deputetët, anëtarë të këtij komisioni, i marrin materialet e tyre nëpërmjet njoftimeve të sekretarëve të komisioneve. Data 11 maj duket dhe sfida më e madhe e deputetëve në këtë fund mandati. Në kalendarin e punimeve janë parashikuar që në këtë seancë “finale” të ketë 15 pika gjithsej. Edhe pse është parashikuar, që gjer në datën 9 maj komisionet duhet të shqyrtojnë të gjitha projektligjet në rendin e ditës, deputetët, një pjesë e të cilëve pritet të jenë në listë, janë angazhuar maksimalisht për zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa pjesa tjetër, që tashmë i ka humbur shpresat për t’u rizgjedhur, apo futur në listën e partisë, kanë bërë “dorëheqjen” me kohë ndaj angazhimit në komisionet parlamentare. Në këtë fund seance parlamentare, maxhoranca duket se do të tentojë që të miratojë ligjin e paraqitur nga qeveria prej më shumë se gjashtë muajsh, “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, si dhe “Për Gjendjen Civile”. Komisioni parlamentar i Ligjeve i ka përfunduar së shqyrtuari këto dy projektligje, por duke shprehur se edhe pse socialistët nuk kanë qenë në komisione, kanë marrë konsensusin paraprak për ti kaluar në këtë mënyrë. Fati i votimit të këtyre dy projektligjeve varet nga prania e opozitës në Kuvend. Nëse socialistët nuk do të jenë prezent në seancën e fundit parlamentare, atëherë projektligji “Për krijimin e Gjykatës Administrative” rrezikon të mos votohet, pasi kërkon një shumë të cilësuar votash.