Akreditimi, nis sot procesi zyrtar për Universitetin e Tiranës
Nis sot zyrtarisht procesi i akreditimit për Universitetin e Tiranës. Lajmi për hapjen e procedurave zyrtare të akredimit bëhet i ditur nga vetë rektori i këtij universiteti Dhori Kule. Ditën e djeshme, rektori i Universitetit të Tiranës (UT) ka takuar lordin Uotson, i cili është dhe anëtar i Këshillit Britanik të Akreditimit. Rektori Kule u shpreh se duke filluar që nga dita e nesërme (sot) do të fillojnë zyrtarisht procedurat që duhet të ndiqen që Këshilli i Akreditimit Britanik të fillojë këtë proces të rëndësishëm, jo vetëm për diplomat e UT-së, por edhe për universitetet e rretheve. “Universiteti i Tiranës ka mbaruar procedurat e vetëvlerësimit dhe ka marrë edhe vendimin e senatit të vet. Pas kësaj, në mënyrë që ne të shfrytëzojmë dhe të kemi mundësinë e operatorëve të besueshëm të huaj e përkthyem edhe në gjuhën angleze. Ne i propozuam dhe i kërkuam lordit ta bëjmë këtë proces akreditimi me Këshillin Britanik të Akreditimit”,- tha Kule pas përfundimit të takimit. Nga ana tjetër, Lordi Uotson u shpreh se procesi i akreditimit do të shtrihet në aspekte të tilla si cilësia e mësimdhënies, kurrikulave, por ky sipas tij, është një proces i ndërlikuar që kërkon kohë. Këshilli Britanik i Akreditimit ka një eksperiencë të gjatë në këtë fushë. Një vit më parë, ky këshill ndoqi akreditimin e të gjitha universiteteve në Kosovë, sipas përfundimeve të të cilit u mor vendimi për mbylljen e disa universiteteve private. Universiteti i Tiranës është i pari universitet në vend që do t’i nënshtrohet procesit të akreditimit.
8 Shtator 2009