E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, OBSH: Mos e ulni vigjilencën

Frika nga gripi i derrit, këto ditë, është ulur ndjeshëm. Qetësia ka ardhur nga deklaratat e përfaqësuesve të shëndetësisë, në vendet ku janë konstatuar një numër i konsiderueshëm të prekurish. Në zonën e Ballkanit, përshirë dhe Shqipërinë, virusi i derrit është ende në fazën zero. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në një takim me drejtues të politikave shëndetësore, kanë deklaruar se Shqipëria nuk duhet të ulë vigjilencën, madje as në këtë kohë kur vendet ku ka të prekur nga AH1N1, kanë deklaruar se situata mund të konsiderohet e qetë dhe e kontrolluar. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi dje se Shqipëria ka lajme të mira. Deri tani, asnjë shtetas shqiptar nuk është prekur nga gripi i derrit. "Përhapja e ngadaltë e rasteve, si dhe mosshfaqja e asnjë rasti në Ballkan, duket se e përjashton Shqipërinë nga harta e virusit H1N1, të
paktën për këtë sezon", tha Godo. Por, përfaqësuesit e OBSH-së kanë vendosur theksin në planin e veprimit. Ai duhet të jetë gati, vigjilenca nuk duhet të ulet në asnjë çast, në mënyrë që Shqipëria të jetë e përgatitur në rast se ndodhet përpara rasteve të prekur me AH1N1. Drejtues të Shëndetësisë diskutuan me OBSH-në masat që duhen marrë në rast se virusi do të shfaqet. "Strategjia do të ndryshojë, duke qenë se nuk është ulur ritmi i përhapjes së virusit. Megjithatë ne do t‘i marrim masat dhe do të jemi në gjendje gatishmërie njësoj si të ishim në shkallën e 6 të pandemisë", sqaroi ministrja. Pandemia e gripit të derrave është në situatë stanjacioni. Nuk ka asnjë rast të dyshuar në Ballkan, për këtë arsye strategjia e vendit tonë duhet të ndryshojë. Në botë ka pasur 991 të prekur dhe 26 vdekje. Sipas epidemiologes Silva Bino, ne nuk kemi nevojë për maska mbrojtëse pasi ato
nuk përdoren në çdo rast. Sipas Binos, janë instruktuar punonjësit e doganave, inspektorët shëndetësorë, janë shpërndarë fletëpalosje në pikat doganore dhe institucione publike. Shefja e OBSH-së, Margaret Chan, deklaroi se testimi i vërtetë për gripin e derrave do të bëhet kur një pjesë e vendeve të preken nga gripi sezonal i dimrit. Sipas saj, OBSH shpreson që virusi të ndalet, pasi nëse kjo nuk ndodh do të ketë përhapje të madhe".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›