Shpërthimi i municioneve, dëmtohen 11 banesa në Pukë
PUKE / JONUZ HALLAÇI
Asgjësimi i municioneve në masivin pyjor të Tërbunit, zonë e mbrojtur me vendim qeverie, ka sjellë reagime të ashpra të banorëve të Pukës. Sipas tyre, asgjësimit i municioneve po shuan edhe shpresën e fundit të tyre të paktën për zhvillimin e turizmit malor. Prej disa ditësh, automjete ushtarake kanë filluar transportin e municioneve të rrezikshme për në Livadhet e Hamzit, vetëm 5 kilometër larg qytetit. Ndonëse ka vetëm tre ditë që procesi i asgjësimit ka filluar, janë shfaqur pasojat e para. Si pasojë e tronditjeve të tokës nga shpërthimet e armatimeve, në fshatin Shkozë të këtij rrethi, 11 banesa rrezikojnë të shemben plotësisht. Ato janë të ndërtuara mbi një tokë të paqëndrueshme, rrëshqitja e të cilës po stimulohet edhe nga tronditjet. Dy prej këtyre banesave janë dëmtuar më rëndë, tek të tjerat vihen re plasaritje më të vogla. Ndërkohë edhe në fshatin Prozhem, një banesë ka pësuar plasaritje. Frika e shembjes së shtëpive, por edhe të ndonjë katastrofë tjetër, ka bërë që banorët ta kundërshtojnë ashpër vendimin që në pyjet e Tërbunit të kryhen shpërthimet e municioneve. Asgjësimi i tyre ka sjellë edhe pasoja të tjera për banorët. Dhjetëra parqe me bletë janë larguar nga ky rreth për në zonën e Bajram Currit, pasi vdekja e bletëve ishte e pashmangshme. Ndërsa minivreshtat e rrushit kanë filluar të shkundën, ashtu siç edhe tek misri dhe bimët e tjera. Mjekët kanë paralajmëruar probleme edhe në shëndetin e banorëve të zonës. Pas gjithë këtyre problemeve, banorët e Pukës janë organizuar dhe në qendër të qytetit kanë nënshkruar një peticion, i cili mban 2 mijë firma. Ky peticion i adresohet autoriteteve më të larta të shtetit, ndërkohë që po organizohen edhe protesta të cilat sipas banorëve do të përshkallëzohen deri në bllokimin e segmentit rrugor që të çon në Tërbun. “Ky është një krim që po i shkaktohet rrethit të Pukës. Unë do të jem i pari që do t’i shtrihem kamionëve ushtarakë përpara, për të mos lejuar kalimin e tyre në zonën më atraktive për zhvillimin e Tërbunit” u shpreh rapsodi i Pukës, Fran Pali. Edhe Prenda Pali, teksa firmos peticionin sëbashku me 5 anëtarët e tjerë të familjes së saj, i bënë thirrje Presidentit dhe Kryeministrit që të mos e shkatërrojnë Pukën. “Boll që jemi lënë në harresë prej vitesh, tani duan të na shuajnë përfundimisht”, thotë ajo.
Vendimi për asgjësimin e 1200 tonë municione
Poligoni për asgjësimin e municioneve luftarake në vendin e quajtur “Livadhët e Hamzit” në Tërbun të Pukës u vendos nga qeveria. Sipas këtij vendimi, ky do të ishte poligoni kryesor i Shqipërisë, në të cilin janë planifikuar të asgjësohen 1200 tonë municione luftarake të rrezikshmërisë së lartë. Por kjo ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te banorët, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar anulimin e këtij vendimi. Tashmë mjeket ushtarake vijnë çdo ditë të ngarkuara me armatimet, ndërsa shpërthimi i tyre ka nisur tre ditë më parë. Si pasojë e shpërthimeve janë tronditur banesat modeste të banorëve të dy fshatrave që ndodhen më afër këtij poligoni.
Reagon kryebashkiaku
Për situatën e krijuar reagoi edhe kreu i Bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj. Ai pohoi se i është kërkuar prej kohësh qeverisë për të marrë masa, por nuk ka pasur asnjë reagim. “Në qytet ka një iniciativë qytetare, e cila buron nga shqetësimi i asaj çfarë po ndodh. Përballë një situate të tillë, të cilës i kam paraprirë me shkresa në shumë drejtime, jam i detyruar që të vihem në mbështetje të qytetarëve që përfaqësoj”, u shpreh kryebashkiaku. Sipas tij, reagimi i banorëve është i drejtë pasi rreziku nga shpërthimi i municioneve është mjaft i madh. Banorët mendojnë se nëse do të vazhdojë asgjësimi, atëherë shpresa e tyre për të jetuar normalisht në këtë vend shuhet. Ata pohojnë se duan t’i ruajnë me fanatizëm bjeshkët e tyre.