Gripi i derrit, arrin në 96 numri i të prekurve
Çdo ditë në vendin tonë shënohen mesatarisht 3 raste të reja, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, porse ky trend është gjithnjë e në rritje. Deri gjatë ditës së djeshme numri total i të prekurve në vend arriti në 96, prej nga shumica janë prekur gjatë dy javëve të fundit. Mjekët këshillojnë kujdes ndaj gripit të derrit, por theksojnë që nuk duhet nënvleftësuar as gripi sezonal.
Rastet
Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i të prekurve në vendin tonë nga gripi i derrit ose siç quhet ndryshe të prekurit nga virusi A/H1N1 ka arritur tashmë në 96. Vetëm gjatë dy javëve të fundit është rritur me më shumë se një herë numri i të prekurve nga ky virus, çka bën që institucionet shëndetësore të kenë frikë nga një përhapje më e gjerë e tij.
Nëse marrim për bazë statistikat e ofruara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, atëherë rezulton që me “sulmin” e dytë të gripit të derrit, që nisi vetëm pak ditë më parë, të jenë prekur mesatarisht 3 persona në ditë në vendin tonë nga ky virus, shumë herë më shumë se numri i të prekurve gjatë valës së parë të përhapjes së kësaj sëmundjeje në Shqipëri.
Sipas drejtorit të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, z. Pëllumb Pipero, “vetëm për të shtunën e të dielën u mësua se 20 raste të reja iu shtuan listës së personave të infektuar me A/H1N1. Analizat u bënë në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik”.
Gripi
Të gjithë personat e dyshuar si mbartës të H1N1 tanimë mund të analizohen më shpejt. Me hapjen e laboratorit të ri virolog në ISHP Tiranë, mostrat analizohen brenda ditës dhe përgjigjja merret vetëm brenda pak orësh. Nga ana tjetër, mjekët thonë se nuk duhet lënë pas dore as gripi sezonal. Sipas tyre, koha më e përshtatshme për të bërë vaksinën e gripit sezonal është brenda muajit dhjetor.
Mjekët theksojnë se gripi sezonal nuk duhet nënvleftësuar, pasi edhe një grip normal mund të ketë pasoja të rënda në shëndet. Vaksina kundër gripit sezonal ka filluar të shpërndahet që në fund të muajit shtator në të gjitha farmacitë e vendit, ndërkohë specialistët nga Instituti i Shëndetit Publik rekomandojnë që kjo vaksinë të bëhet brenda muajit dhjetor, pasi duhet që trupi të krijojë mbrojtje nga virozat dimërore, që pritet të qarkullojnë. Ndonëse ISHP ka përcaktuar kategoritë parësore për të bërë vaksinën falas, specialistët thonë se kjo vaksinë tregtohet në farmaci dhe është e këshillueshme të bëhet nga të gjithë.