Buxheti 2010, ministri Bode detajon rritjen e pagave dhe pensioneve
Skema e rritjes së pagave dhe pensioneve
Pensionet e ulëta do rriten deri në 10 për qind
Pensionet e larta do të rriten deri në 7 për qind
Pensionet e fshatit do të rriten deri në 15 për qind
Pagat e ulëta do të rriten 10 për qind
Pagat e larta do të rriten 4 për qind
Teuta Shamku
Nëse në ekonomitë e vogla të familjeve shqiptare ka ndikuar efekti i krizës globale gjatë vitit 2009, qeveria ka menduar ta kompensojë këtë efekt negativ, duke rritur për vitin 2010 pagat dhe pensionet, duke e konsideruar këtë fakt një prioritet të saj. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë prezantimit që i ka bërë dje projektbuxhetit të vitit 2010, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ka deklaruar se politikat e rritjes së pagave e pensioneve janë prioritet i qeverisë. Kreu i financave tha se të ardhurat nga reduktimi i shpenzimeve administrative, si heqja e transportit për deputetët apo për institucionet e tjera publike, do të kalojnë për fondin e pagave dhe pensioneve. Bode tha dje se në vitin 2010 qeveria ka propozuar një buxhet i cili në tërësinë e tij shkon në 411 miliardë lekë të reja, ose rreth 32 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bode nënvizoi se ky nivel i buxhetit në raport me ekonominë në tërësi, reflekton tërësisht objektivin e qeverisë, një qeverisje e vogël me taksa të ulëta dhe me mundësi shumë të mëdha për zhvillimin e ekonomisë reale, si i vetmi çelës për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe shoqërore.
Ministri Bode tha se programi social në këtë buxhet ka mbështetjen më të madhe në krahasim me të gjitha programet e tjera. Bode tha se qeveria është deklaruar për të marrë një politikë më të kujdesshme të mbështetjes sociale, e domosdoshme kjo pas një viti kur goditjet e krizës ekonomike globale, mund të jenë shkaktuar edhe në grupe të caktuara shoqërore, por edhe nga nevoja për të dhënë një ndihmë më të qenësishme për grupe të caktuara shoqërore, për vitin 2010 është parashikuar që mbështetja sociale të marrë një ndihmë prej 14 për qind më të lartë në krahasim me vitin 2009. “Në këtë kuadër ne mendojmë se politikat për rritjen e pagave e pensioneve do të jenë kryesore dhe do të kemi një rritje që do të lëvizë në 4 % për pagat e larta dhe në 10 % për pagat e ulëta. Një rritje të pensioneve në parametrat 7-10 për qind, duke parashikuar rritjen e pensioneve të larta me 7 për qind dhe të të ulëtave me 10 për qind. Në fshat do të kemi një rrije me 15 për qind. Do të kemi një rritje të fondit për shërbimet shoqërore, përkrahjen shoqërore, politikat e nxitjes së punësimit”, - ka sqaruar dje në Komisionin e Ekonomisë, ministri Bode. Ministri i Financave, Bode, deklaroi dje se tashmë ekonomia shqiptare është jashtë krizës. Ai tha se rritja ekonomike në vitin 2010 parashikohet të arrijë në 6.5 për qind nga 5 për qind që pritet të arrijë në vitin 2009. Inflacioni do të jetë në kufijtë e 3 % me -1 ose +1 për qind. Prioritet do të mbeten investimet publike që priten të jenë 9 % e PBB-së. Rënia e shpenzimeve nga 34 për qind në 32 për qind kushtëzohet me domosdoshmërinë se në vitin 2009 janë përdorur rreth 3 % e PBB-së si të ardhura nga privatizimi për të financuar ekonominë dhe për të rritur kërkesën e brendshme. Ministri Bode tha se ky buxhet është modeli i një qeverisjeje të vogël, taksa të ulëta, investime publike në nivelin 9 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe një deficit të kontrolluar në nivelin 3-4 për qind.
Ministri ka garantuar vijimin e investimeve publike. Projekte të tilla si autostrada Tiranë–Elbasan apo “Rruga e Arbrit” do të mbështeten me kredi të buta nëpërmjet një fondi të veçantë të siguruar nga donatorët.
Ndër sektorët prioritarë, ministri i Financave veçoi atë të shëndetësisë ku parashikohet një reformë e thellë që ka në fokus pacientin dhe cilësinë e shërbimeve. Po ashtu, në këtë buxhet parashikohet mbështetje më e madhe me fonde edhe për sektorin e bujqësisë dhe atë të arsimit. Një rëndësi në këtë buxhet do të ketë Fondi i Zhvillimit Rural, i cili në vitin 2010 do të ketë në dispozicion një fond prej 9 miliardë lekësh, ku prioritet do t’i kushtohet projekteve të rëndësishme të rajoneve të caktuara. Madje, për të kontrolluar më mirë këto projekte, ministri tha se do të ngrihet një autoritet i posaçëm, nëpërmjet të cilit vitin që vjen pritet të kalojnë 50 milionë euro. Këto fonde do të adresohen për zonat më në nevojë. “Krijimi i këtij fondi të zhvillimit të rajonit është një ndërthurje e programeve të vetë komuniteteve në zhvillim me politikat e dikastereve qendrore, të cilat shpesh herë kanë qenë të shkëputura nga prioritetet e komuniteteve lokale”, - deklaroi Ridvan Bode, ministri i Financave.