Berisha sheh drejt Arminias
Jetmir Halilaj
Besart Berisha ka shumë mundësi të nënshkruajë për Arminia Bilefeld, skuadrën e njohur gjermane, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesliga 2. Klubi anglez i Bërnlit, që zotëron edhe kartonin e sulmuesit kosovar, e ka nxjerrë në shitje, pasi më parë e kishte huazuar te Rozenborgu në Norvegji dhe të AC Horsens në Danimarkë. 23-vjeçari Berisha, i cili më parë ka luajtur edhe me Hamburgun në Bundesligën 1 gjermane (madje ka shënuar edhe një gol në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve), është duke kryer stërvitje me Arminian, një skuadër ku më parë kanë luajtur edhe Fatmir Vata, Ervin Skela e Klodian Duro.
Bërnlei
Klubi i Bërnleit e ka nxjerrë në shitje sulmuesin e Kombëtares shqiptare, për shkak se trajneri i kësaj skuadre, Ouen Koil ka deklaruar se biondi nuk bënte më pjesë në planet e tij. Lojtari ndërkaq, nuk ka dashur të polemizojë me drejtuesit e klubit, pasi është i ndërgjegjshëm se nëse do të këmbëngulë për të qëndruar, atëherë ka pak gjasa që të sigurojë një vend titullari në ekip. Berisha, sezonin e kaluar arriti të shënonte shtatë gola, ndonëse iu desh të luante në dy skuadra të ndryshme dhe nuk e pati aspak të lehtë të përshtatej. Sulmuesi i Kombëtares nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje zyrtare me Bërnlein, për shkak se aventura e tij nisi keq me anglezët. Pak kohë pasi ai firmosi kontratën me këtë ekip, këputi ligamentet e gjurit në një ndeshje miqësore me Kombëtaren dhe humbi gjithë sezonin.
Gjermania
Lojtari ka pohuar se kampionati gjerman mbetet një ndër më të preferuarit e tij. Ai dikur pati thënë se do të donte të luante në Permier Ligën angleze, por edhe pse Bërnlei u ngjit këtë sezon në këtë kategori, ai nuk mund të luajë aty. Berisha e njeh mjaft mirë kampionatin gjerman, pasi ka luajtur për një periudhë të konsiderueshme me klubin e Hamburgut. Një tjetër skuadër që interesohet për shërbimet e Besart Berishës, është e Hajduku i Spilitit. Kroatët pohuan pak kohë më parë se kishin pasur kontakte me sulmuesin shqiptar, por më pas gjithçka është lënë pezull. Për 23-vjeçarin nga Prishtina interesohen edhe disa skuadra gjermane të Bundelsigës 2, por ato janë të një niveli të dytë dhe zor se mund të pranojë ofertën e tyre. Lëvizjet e shumta gjatë viteve të fundit e kanë penalizuar sulmuesin edhe në radhët e Kombëtares shqiptare.