Helmimet nga ushqimet, shtohet numri i pacientëve në spitale
Emanuela Sako
Numri i personave të prekur nga helmimet e ushqimeve është rritur gjatë sezonit të nxehtë të verës. Shkak për këtë janë bërë ushqimet e pakontrolluara, si dhe konsumimi i tyre jashtë gjendjes së duhur për konsum. Mjekët shprehen se në Spitalin Infektiv është shtuar numri i të prekurve, ku rreth 30 persona në javë shkojnë të marrin ndihmën e menjëhershme në Spitalin Infektiv. Të gjithë pacientët rezulton se kanë konsumuar produkte të prishura ose që nuk janë mbajtur në temperaturat e duhura në frigoriferë dhe kanë shkaktuar probleme shëndetësore. Specialistët bëjnë thirrje që qytetarët duhet të kenë kujdes në konsumimin e ushqimeve dhe lëngjeve, qoftë ato që blejnë në shtëpitë e tyre, apo konsumit në lokale dhe restorante.
Rreziku
Mjekët shprehen se pritet që numri i të prekurve të shënojë rritje në rast se do të konsumohen ushqime që nuk janë të freskëta, apo nuk mbahen në kushte të pastra higjienike. E njëjta situatë e vështirë është edhe në bare dhe restorante, që janë tepër të frekuentuar. Copat e akullit që ofrohen nëpër bare dhe restorante përbëjnë rrezik për qytetarët. Specialistët vënë në dukje se nga kontrollet që janë bërë në bare dhe restorante rezulton se akulli që përdoret për ftohjen e lëngjeve apo të ujit të pijshëm përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Ata shpjegojnë se punonjësit në këto vende publike nuk i kushtojnë shumë rëndësi higjienës së ujit që mbajnë për të ftohur lëngjet, pasi në dukje të parë akulli duket se i vret bakteret e dëmshme. Uji i ngrirë mban bakteret në gjendje të pazhvilluar, por në momentin kur ato treten me lëngjet e frutave, pijeve alkoolike apo në ujë, ato janë njëlloj të rrezikshme si në çastin fillestar. Specialistët shprehen se ndotja bakteriale shkakton probleme të shumta tek konsumatorët, të cilët janë të rrezikuar nga konsumimi i përditshëm i lëngjeve. Specialistët kanë këshilluar punonjësit e bareve dhe restoranteve që të kenë kujdes në enët e përdorura për të mbajtur akullin dhe njëkohësisht, të tregohen të kujdesshëm që uji të jetë i freskët. Në të kundërt, qytetarët rrezikojnë që të kalojnë në helmim apo të kenë të vjella dhe diarre.
Kushtet
Nga vëzhgimet e kryera në terren, duket qartë se tregtarët i shesin produktet në kushte jashtë çdo standardi të higjienës. Ndërkohë që mjekët shprehen se duhet pasur kujdes, pasi ato mund të bëhen shkaktar për helmime, të cilat janë të rrezikshme për jetën. Më të rrezikshme janë produktet ushqimore blegtorale, por pa përjashtuar frutat, perimet dhe mishin. Këto produkte shiten në treg në ambient të hapur dhe pa mbajtur një temperaturë konstante. Specialistët shprehen se tregtimi duhet të bëhet në ambiente të mbyllura që të mos kenë kontakt me tymin e rrugës, të mbahen në frigoriferë dhe larg mizave apo mushkonjave. Në të kundërt, këto ushqime mund të bëhen rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve. Madje, për shkak të këtyre problemeve, mjekët raportojnë rastet e para që janë drejtuar në spitale me simptoma të helmimit na ushqimet.
11 Korrik 2009