Gripi i derrit, një 55 vjeçare viktima e tetë
Një tjetër viktimë nga gripi i derrave. Me të shkon në 8 numri i personave, që kanë humbur jetën pas infektimit nga virusi AH1N1. Bëhet fjalë për një 55-vjeçare nga Tirana, e cila mbrëmjen e së premtes u shtrua në urgjencën e spitalit infektiv në gjendje mjaft të rëndë. Sipas mjekëve infeksionistë, pacientja kishte 5 ditë që ishte prekur nga virusi, por nuk ishte paraqitur në spital. Ajo ishte e sëmurë kronike dhe vuante nga diabeti dhe hipertensioni i lartë. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë konfirmuan se 55-vjeçarja u shtrua menjëherë në reanimacionin e spitalit infektiv. “Ajo kishte temperaturë të lartë dhe vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e vonesës së shtrimit të gruas në spital, e cila ka çuar në rëndimin e sëmundjes”, sqaruan mjekët. Vetëm 3 ditë më parë u shënua viktima e shtatë nga virusi AH1N1. Bëhet fjalë për një 25-vjeçar tetraplegjik nga qyteti i Korçës, i cili prej disa ditësh ishte prekur nga gripi i derrit. Po këtë muaj u shënua dhe një tjetër vdekje, ajo e një 18-vjeçare shtatzënë e prekur me virusin e gripit të derrit, e cila ndërroi jetë në muajin e 8-të të shtatzënisë. Mjekët pohojnë se gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike janë të më riskuarit për jetën nga ky virus. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i personave zyrtarisht të infektuar në vendin tonë kap shifrën e rreth 400 personave, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15-24 vjeç, ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Ndërkohë, prej pak ditësh në Shqipëri ka nisur vaksinimi kundër gripit të derrit i stafit mjekësor dhe pritet të nisë vaksinimi i kategorive të tjera në risk. Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve, që janë pjesë e këtyre kategorive të rriskuara dhe prindërve, të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore.